“Nxitja e standardeve Evropiane në mbrojtjen e të drejtave të njeriut për komunitete të qëndrueshme ”
Reforma në drejtësi solli një kornizë të re ligjore që, ndër të tjera, synon të garantojë të drejtat e të paraburgosurve dhe të dënuarve, të miturve në konflikt me ligjin, grave të dënuara, personave në shërbim prove dhe të sigurojë pajtueshmërinë me standardet evropiane të të drejtave të njeriut. Sidoqoftë, dhe përkundër faktit se korniza ligjore ekzistuese dhe e miratuar kohët e fundit synon të pasqyrojë standardet evropiane të të drejtave të njeriut, mbetet shumë për të bërë për të përmbushur këto standarde në mënyrë që ato të mos qëndrojnë në nivelin e parashikimeve, por të kuptohen dhe të adaptohen plotësisht nga institucionet. Institucionet të cilat punojnë me të dënuarit dhe të paraburgosuri si dhe Organizatat e Shoqërisë Civile (OSHC) luajnë një rol thelbësor në monitorimin, zbatimin dhe promovimin e respektimit të të drejtave të të paraburgosurve, prandaj është e rëndësishme që të kenë njohuri të thelluara jo vetëm të dispozitave të legjislacionit të brendshëm por edhe për dispozitat e instrumenteve dhe legjislacionit evropiane si dhe jurisprudencën që përcakton thelbin dhe përmbajtjen e një të drejte, duke përcaktuar kështu standardet e të drejtave të njeriut.
Për sa më sipër Qendra ALTRI është angazhuar në realizimin e projektit “Nxitja e standardeve Evropiane në mbrojtjen e të drejtave të njeriut për komunitete të qëndrueshme” i cili financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Shërbimi Ligjor Falas Tiranë (TLAS) në partneritet me Fondacionin Qendra Evropiane në Shqipëri. Ky project synon krijimin e një platforme ndërvepruese për rritjen e ndërgjegjësimit dhe përmirësimit të njohurive të OSHC-ve dhe institucioneve që punojnë me të paraburgosurit dhe dënuarit lidhur me standardet evropiane të të drejtave të njeriut dhe për të promovuar mobilizimin e tyre dhe të grupeve në nevojë ndaj realizimit të këtyre të drejtave.
Qytetet e zbatimit:
Tirana ( përfshirë Kavajën), Korça, Lezha, Vlora, Shkodra dhe Elbasani.
Platforma përmban përmbledhje të parashikimeve dhe standarteve të legjislacionit evropian, duke përfshirë edhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe parashikimet në legjislacionin shqiptar mbi të drejtat dhe liritë e personave të paraburgosur dhe të dënuar. Përveç prezantimit të informacionit mbi këto standarte dhe parashikimeve ligjore, platforma përmban një hapësirë të dedikuar e cila do të shërbejë jo vetëm si një burim informacioni ku do të shkëmbehen informacionet e nevojshme lidhur me çështje të ndryshme për këtë kategori por edhe si një kanal i vazhdueshëm komunikimi midis qytetarëve, OSHC-ve dhe institucioneve drejt përmbushjes së të drejtave të të paraburgosurve në përputhje me standardet evropiane. Gjithashtu, qytetarët kanë mundësi që nëpërmjet këtij portali të shprehin shqetësimet e tyre në lidhje me cënimin e të drejtave të tyre apo të një anëtari të familjes i cili ndodhet në arrest apo i dënuar me vendim gjykate. Të dhënat e personave të cilët do të përdorin këtë shërbim do të mbeten konfidenciale dhe do të aksesohen vetëm nga administratori i faqes me qëllim ruajtjen dhe mbrojtjen e të dhënave personale si dhe mbrojtjen e qytetarit nga identifikimi.
Platforma ”të drejtat e të dënuarve dhe të paraburgosurve” është ndërtuar nga Qendra ALTRI në kuadër të projektit “Nxitja e standarteve Evropiane në mbrojtjen e të drejtave të njeriut për komunitet të qëndrueshme”, i cili financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatohet nga Shërbimi Ligjor Falas Tiranë (TLAS) në partneritet me Fondacionin Qendra Evropiane në Shqipëri.