Inspektimi dhe monitorimi i respektimit të të drejtave të personave të dënuar

Inspektimi dhe monitorimi i respektimit të të drejtave të personave të dënuar

Të dënuarit me vendim gjyqësor për kryerjen e një vepre penale apo të personave të
paraburgosur, për shkak të gjendjes së tyre dhe kufizimit të lirisë, janë më të ekspozuar ndaj abuzimeve dhe cënimit të të drejtave të tyre.
Në kuadër të përmbushjes dhe garantimit të të drejtave të personave të dënuar dhe paraburgosur dhe me qëllim shmangien e abuzimeve që mund t’u bëhet kësaj kategorie, është i nevojshëm monitorimi dhe inspektimi i vazhdueshëm i institucioneve kompetente për ekzekutimin e vendimeve penale dhe kushtet e mbajtjes në paraburgim dhe burgim. Inspektimi dhe monitorimi realizohen si nga strukturat shtetërore në nivel hierarkik më të lartë, ashtu edhe nga organe të pavarura, organizata apo agjenci kombëtare dhe ndërkombëtare të cilat
ligjërisht gëzojnë të drejtën e monitorimit. Në vijim prezantohen në pjesë të veçanta
respektivisht:
1. inspektimi nga institucionet shtetërore;
2. monitorimi i pavarur.

    Inspektimi i burgjeve nga institucionet shtetërore

    Ligji “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve” 1 parashikon se organe kompetente shtetërore të cilat mund të kryejnë inspektime pranë institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale janë: 2

    a) Ministria e Drejtësisë;
    b) Shërbimi i kontrollit të brendshëm në sistemin e ekzekutimit të vendimeve penale;
    c) Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

    Personat e autorizuar, me urdhër të Ministrit të Drejtësisë ose Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, gëzojnë të drejtën të inspektojnë institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale dhe të bëjnë verifikime me objekt të përgjithshëm ose tematik. Objekt i inspektimit janë:

    • vlerësimi i respektimit të parashikimeve të ligjit lidhur me të drejtat dhe trajtimin e të burgosurve;
    • çështjet konkrete të përcaktuara në urdhrin e inspektimit.

    Pas përfundimit të inspektimit, personat e autorizuar për kryerjen e inspektimeve, përgatisin rekomandimet, sipas rastit, për ministrin e Drejtësisë, drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, ose drejtorin e institucionit për marrjen e masave të nevojshme për shkeljet e konstatuara. 3
    Rregullat Evropiane të Burgjeve 4 parashikojnë gjithashtu se: 5

    • të gjitha burgjet do t’i nënshtrohen inspektimit të rregullt të qeverisë dhe
      monitorimit të pavarur;
    • burgjet duhet të inspektohen rregullisht nga një agjenci qeveritare për të vlerësuar nëse administrohen në përputhje me kërkesat e ligjit kombëtar dhe ndërkombëtar dhe dispozitat e këtyre rregullave.

    Monitorimet e pavarura të burgjeve

    Përveç inspektimeve shtetërore, në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale kryhen gjithashtu, monitorime të pavarura. Monitorimet e pavarura kryhen me qëllim monitorimin e kushteve të mbajtjes dhe trajtimit të të burgosurve. Sipas ligjit “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve” 6 , Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale krijojnë kushtet e nevojshme për kryerjen e monitorimeve të pavarura nga: 7

    • Organizata;
    • Agjenci ndërkombëtare dhe
    • Institucione shtetërore, që gëzojnë të drejtën të vizitojnë institucionet.

    Organizatat e Shoqërisë Civile ushtrojnë veprimtarinë e tyre në mënyrë të pavarur nga organet dhe interesat shtetërorë dhe luajnë një rol shumë të rëndësishëm në monitorimin dhe promovimin e respektimit të të drejtave të të paraburgosurve dhe të burgosurve, prandaj është e rëndësishme mundësimi i kushteve dhe i lehtësirave për përmbushjen e qëllimit të tyre dhe realizimin e monitorimeve të nevojshme në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.

      Institucionet e pavarura si Avokati i Popullit (i cili përbën nxitësin e standardeve më të larta të të drejtave dhe lirive të njeriut në vend) apo Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi (që ka detyrën e garantimit të mbrojtjes nga diskriminimi dhe trajtimit të barabartë) janë gjithashtu aktorë të rëndësishëm të cilët kanë të drejtë të monitorojnë dhe të vizitojnë pa autorizim institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale. 8

      Konventa evropiane për parandalimin e torturës dhe dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese 9 parashikon krijimin e një Komiteti evropian për parandalimin e torturës dhe dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese. Komiteti për Parandalimin e Torturës organizon vizita në vendet e ndalimit, në mënyrë që të vlerësojë se si trajtohen personat e privuar nga liria. Këto vende përfshijnë burgje, qendra të paraburgimit për të mitur, stacione policie,
      qendra mbajtëse për të paraburgosurit e imigracionit, spitale psikiatrike, shtëpi të kujdesit shoqëror, etj. 10

      Rregullat Evropiane të Burgjeve 11 , në lidhje me monitorimin e pavarur theksojnë se kushtet e ndalimit dhe trajtimit të të burgosurve duhet të monitorohen nga një organ i pavarur ose organe, gjetjet e të cilave do të bëhen publike. 12

      Referenca

      1 Bëhet fjalë për Ligjin Nr. 81/2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”.
      Tekstin e plotë mund ta gjeni në linkun vijues:

      https://www.parlament.al/Files/ProjektLigje/20200702104324ligj%20nr.%2081,%20dt%2025.6.2020.pdf.

      2 Ligji Nr. 81/2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”, neni 85(1).
      3 Po aty, neni 85(2)(3)(4).
      4 Bëhet fjalë për Rekomandimin REC (2006) 2 të Këshillit të Ministrave për Vendet Anëtare mbi Rregullat Evropiane
      të Burgjeve. Në gjuhën shqipe mund ta gjeni në linkun vijues:

      https://Search.Coe.Int/Cm/Pages/Result_Details.Aspx?Objectid=09000016805d8d25.

      5 Rregullat Evropiane të Burgjeve [Rekomandimi REC (2006) 2 i Këshillit të Ministrave të KiE], pika 9.
      6 Bëhet fjalë për Ligjin Nr. 81/2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”.
      Tekstin e plotë mund ta gjeni në linkun vijues:

      https://www.parlament.al/Files/ProjektLigje/20200702104324ligj%20nr.%2081,%20dt%2025.6.2020.pdf.

      7 Ligji Nr. 81/2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”, neni 86.
      8 Institucione të tjera të cilat mund t’I vizitojnë burgjet pa autorizimin mund t’I gjeni të listuara në nenin 51(1) të
      ligjit Nr. 81/2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”.
      9 RSH ka aderuar në vitin 1996 në Konventën evropiane për parandalimin e torturës dhe dënimeve ose trajtimeve
      çnjerëzore ose poshtëruese me ligjin nr. 8135, datë 31.7.1996. Për më tepër shih linkun vijues:

      https://rm.coe.int/16806dbac6.

      10 Për më tepër mbi Komitetin për Parandalimin e Torturës vizitoni faqen zyrtare të këtij Komiteti në linkun vijues:

      https://www.coe.int/en/ëeb/cpt/about-the-cpt.

      11 Bëhet fjalë për Rekomandimin REC (2006) 2 të Këshillit të Ministrave për Vendet Anëtare mbi Rregullat Evropiane
      të Burgjeve. Në gjuhën shqipe mund ta gjeni në linkun vijues:

      https://Search.Coe.Int/Cm/Pages/Result_Details.Aspx?Objectid=09000016805d8d25.

      12 Rregullat Evropiane të Burgjeve [Rekomandimi REC (2006) 2 i Këshillit të Ministrave të KiE], pika 92.

      Kjo platformë është përgaditur nga Qendra ALTRI në kuadër të projektit “Nxitja e standarteve Europiane në mbrojtjen e të drejtave të njeriut për komunitet të qëndrueshme” i cili financohet nga Bashkimi Europian (BE) dhe zbatohet nga Shërbimi Ligjor Falas Tiranë (TLAS) në partneritet me Fondacionin Qendra Evropiane në Shqipëri.