Kontakti me botën e jashme të paraburgosur dhe personave të dënuar me heqje lirie.

Kontakti me botën e jashtme të të paraburgosurve dhe personave të dënuar me heqje lirie

Të paraburgosurit dhe të dënuarit gëzojnë të drejtën e respektimit të jetës private e familjare si e drejtë themelore; autoritetet përgjegjëse shtetërore kanë detyrimin pozitiv për t’ua mundësuar dhe kur është e nevojshme t’i asistojnë/ndihmojnë në realizimin e kësaj të drejte dhe mbajtjen e kontakteve me familjen e tyre.

Në këtë punim paraqiten të përmbledhura standartet e vendosura nga legjislacioni ynë dhe ai evropian për të drejtat e të paraburgosurve dhe të dënuarve për kontaktin e tyre me botën e jashtme të lidhura posaçërisht me:

  1. kontaktin me familjen dhe vizitat;
  2. informimin mbi çështjet familjare dhe sociale;
  3. të drejtën për t’u martuar.

Kontakti me familjen dhe vizitat

 Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë [I] dhe Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut (KEDNJ) [II] garatojnë për çdo person:

  • të drejtën për të gëzuar respekt të jetës private, familjare, banesës dhe korrespondencës.
    • Kufizimi i kësaj të drejte mund të bëhët vetëm me ligj dhe në rastet kur është e nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare, sigurisë publike apo për parandalimin e krimit. [III]

Legjislacioni shqiptar parashikon që institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale duhet t’i kushtojnë kujdes të veçantë ruajtjes, përmirësimit ose rivendosjes së lidhjeve të të burgosurit me familjen. Në këtë drejtim, ligji “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”[IV] dhe Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve [V] parashikojnë standartet vijuese: [VI]

  • të burgosurit kanë të drejtë të takohen 4 herë në muaj me familjarët, të afërmit dhe miqtë e tyre, ndërsa për të miturit dyfishohet kjo e drejtë me takime 8 herë në muaj;
    • kohëzgjatja e takimeve është të paktën 1 (një) orë; takimet e zgjatura lejohen deri në 5 (pesë) orë për të dënuarit e martuar ose bashkëjetues;
      • në burgjet e sigurisë së lartë, në raste të veçanta mund të zbatohet një regjim i posaçëm i ushtrimit të të drejtave për të dënuarit, i cili, ndër të tjera konsiston në takimin një herë në muaj me anëtarët e familjes; [VII]
    • në çdo takim, lejohen fëmijët e mitur dhe tre persona madhorë;
  • të paraburgosurit dhe të dënuarit i lejohet 8 herë në muaj biseda telefonike me familjarët, të afërmit dhe miqtë e tij, ndërsa për të dënuarit e mitur dhe gra lejohet 16 herë në muaj;
    • për të paraburgosurit dhe burgosurit që nuk kanë mjete financiare, biseda telefonike i lejohet një herë në muaj deri në 5 minuta me shpenzimet e institucionit.

Disa nga standarte për të drejtat e të burgosurve për kontaktin e tyre me familjen dhe vizitat të parashikuara në  Rregullat Evropiane të Burgjeve [VIII] paraqiten të përmbledhura në vijim: [IX]

  • të burgosurit duhet të lejohen të komunikojnë sa më shpesh të jetë e mundur me anë të letrave, telefonit ose formave të tjera të komunikimit me familjet e tyre, persona të tjerë dhe përfaqësues të organizatave të jashtme dhe të marrin vizita nga këta persona;
  • komunikimi dhe vizitat mund të jenë subjekt i kufizimeve dhe monitorimit të nevojshëm – të urdhëruara nga gjykata – për kërkesat e vazhdimit të hetimeve penale, mirëmbajtjen e rendit, sigurinë, parandalimin e veprave penale dhe mbrojtjen e viktimave të krimit;
  • marrëveshjet për vizitat duhet të jenë të tilla që të lejojnë të burgosurit të mbajnë dhe zhvillojnë marrëdhëniet familjare në një mënyrë sa më normale;
    • autoritetet e burgut duhet të ndihmojnë të burgosurit në mbajtjen e kontakteve të përshtatshme me botën e jashtme.

GJEDNJ, përmes jurisprudencës së saj, ka mbajtur këto qëndrime: [X]

  • çdo ndërhyrje në të drejtën për respektimin e jetës private dhe familjare duhet të jetë e justifikueshme në raport me kufizimet e parashikuara në nenin 8 paragrafi 2 [XI] të KEDNJ. Në veçanti, çdo ligj mbi të cilin bazohen kufizimet në vizitat familjare duhet të plotësojë kërkesën e “cilësisë së ligjit” sipas nenit 8;
  • vendosja e disa kufizimeve të ndryshme afatgjata dhe të ashpra në mundësinë e kërkuesit për të marrë vizita në burg, si dhe dështimi i regjimit të vizitave në burg është në kundërshtim me nenin 8 të Konventës , për shkak të përparësisë që i duhet dhënë parimit të proporcionalitetit dhe nevojës për rehabilitim dhe ri-integrim të të burgosurve me dënim të gjatë. [XII]