Rehabilitimit dhe riintegrimit për të dënuarit gjatë ekzekutimit të dënimit dhe pas përfundimit të tij.
Rehabilitimi social dhe riintegrimi
Me qëllim rehabilitimin për riintegrimin e të burgosurit në jetën familjare, shoqërore dhe ekonomike, institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale ndërmarrin masa për trajtimin e tyre duke ndihmuar të dënuarin që pas përfundimit të dënimit t’i kthehet jetesës normale të tij dhe mundësimin e një përshtatje sa më të mirë në shoqëri.
Përgatitja e të dënuarit për riintegrim fillon në paraburgim, vazhdon gjatë kryerjes së dënimit dhe pas lirimit nga institucioni i ekzekutimit të vendimeve penale.
Trajtimi i të burgosurit për rehabilitimin dhe riintegrimin në shoqëri kryhet në përputhje me gjendjen dhe nevojat individuale të tij. Individualizimi i trajtimit bëhet nga Shërbimi i Provës në bashkëpunim me personin nën mbikëqyrje dhe mund të ndryshohet në varësi të ecurisë së tij.[i]
Plani individual i trajtimit bëhet duke vlerësuar:[ii]
- personalitetin e personint nën mbikqyrje me qëllim qartësimin e nevojave për mungesat fizike, afektive ose shoqërore,
- vullnetin e tij për punë dhe
- aftësitë e tij profesionale.
Vlerësimi bëhet në fillim të trajtimit dhe rezultatet e tij verifikohen vazhdimisht gjatë ekzekutimit të dënimit, duke e përshtatur trajtimin sipas nevojave të të burgosurit. Plani duhet të përfshijë programin e trajtimit, të rehabilitimit dhe riintegrimit për çdo të burgosur. Për kategoritë e veçanta të të burgosurve plani individual i trajtimit hartohet duke mbajtur parasysh edhe nevojat specifike të tyre.[i]
Institucionet ekzekutimit të vendimeve penale hartojnë planin individual të trajtimit si dhe programe rehabilitimi dhe programe riintegrimi prag-lirimi për adresimin e nevojave të posaçme të secilit të burgosur.
Ligji “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”[ii] i kushton rëndësi të veçantë trajtimit psiko-social të të burgosurve të mitur, të rinjve të moshës 18 deri 21 vjeç, grave, personave me çrregullime të shëndetit mendor (të pasura ose të fituara gjatë burgimit), personave me aftësi të kufizuara, personave me orientim seksual të ndryshëm, personave me sëmundje kronike ose nën varësi të drogës, të moshuarve, personave të dënuar me dënime afatgjata, personave që u përkasin pakicave kombëtare, shtetasve të huaj dhe personave pa shtetësi.[iii]
Për çdo të mitur të burgosur përgatitet një program individual rehabilitimi dhe riintegrimi, i cili merr në konsideratë:[i]
- arsimin e tij,
- vlerësimin psikologjik;
- situatën emocionale;
- dëshirat dhe mundësitë e tij/saj për të ndjekur arsimin e përgjithshëm dhe/ose arsimin profesional mundësisht jashtë mjediseve të paraburgimit dhe burgimit;
- trajnime profesionale sipas interesave dhe prirjeve të tyre dhe që do të ndihmojnë në punësimin e tyre pas largimit nga institucioni.
Për të burgosurit e mitur, që kanë vështirësi të të mësuarit ose të nxënit që lidhen me aftësinë e kufizuar, si dhe për të miturit që nuk kanë ndjekur shkollën organizohen programe të veçanta dhe individuale të arsimit. I mituri pyetet dhe jep pëlqimin për planin individual të trajtimit.
Për të burgosurin e ri të moshës 18 deri 21 vjeç përgatitet një plan individual trajtimi i cili:[i]
- siguron arsimin bazë të detyrueshëm dhe/ose arsimin profesional mundësisht jashtë mjediseve të paraburgimit dhe burgimit dhe, sipas rastit, edhe arsimin e mesëm ose të lartë;
- krijon mundësi për trajnim profesional sipas interesave dhe prirjeve të tij dhe
- ndihmon në punësimin e tij pas daljes nga institucioni.
Në kuadër të parashikimeve në nivel europian, në Rregullat Evropiane të Burgjeve[ii], parashikohet si parim bazë që i gjithë ndalimi (paraburgim dhe burgim) duhet të menaxhohet në mënyrë që të lehtësojë riintegrimin në shoqërinë e lirë të personave që janë privuar nga liria.[iii]
Gjithashtu, Rregullat Evropiane të Burgjeve parashikojnë se personeli në ushtrimin e detyrave të veta duhet të marrin parasysh nevojën për të lehtësuar riintegrimin e të burgosurve në shoqëri pasi dënimi i tyre të ketë përfunduar përmes një programi të kujdesit dhe ndihmës positive.[iv]
Edhe “Rregullat e Tokios”[v] të Kombeve të Bashkuara theksojnë se të dënuarve/të akuzuarve, kur është e nevojshme, duhet t’u ofrohet ndihmë psikologjike, sociale dhe materiale dhe me mundësi për të forcuar lidhjet me komunitetin dhe për të lehtësuar riintegrimin e tyre në shoqëri.[vi]
Referenca
[1] Për më tepër shih: ligji 78/2020 “Për organizimin dhe funksionimin e shërbimit të provës”, nenet 20(1)(d) dhe 23(2).
[1] Për më tepër, shih: po aty, neni 23.
[1] Po aty.
[1] Bëhet fjalë për Ligjin Nr. 81/2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”. Tekstin e plotë mund ta gjeni në linkun vijues:
https://www.parlament.al/Files/ProjektLigje/20200702104324ligj%20nr.%2081,%20dt%2025.6.2020.pdf.
[1] Për më tepër shih: ligjin Nr. 81/2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”, neni 14. Tekstin e plotë mund ta gjeni në linkun vijues:
https://www.parlament.al/Files/ProjektLigje/20200702104324ligj%20nr.%2081,%20dt%2025.6.2020.pdf.
[1] Po aty.
[1] Po aty.
[1] Bëhet fjalë për Rekomandimin Rec (2006) 2 të Këshillit të Ministrave për Vendet Anëtare mbi Rregullat Evropiane të Burgjeve. Në gjuhën shqipe mund ta gjeni në linkun vijues: https://Search.Coe.Int/Cm/Pages/Result_Details.Aspx?Objectid=09000016805d8d25.
[1] Rregullat Evropiane të Burgjeve, pika 6.
[1] Po aty, pika 72.3.
[1] Bëhet fjalë për: Rregullat Minimale Standarde të Kombeve të Bashkuara për dënimet alternative (Rregullat e Tokios) [United Nations Standards for Minimum Rules for Non-custodial Measures (The Tokyo Rules)], miratuar nga rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme 45/110 të 14 Dhjetorit 1990, link:
https://www.ohchr.org/EN/ProfessionalInterest/Pages/TokyoRules.aspx.
[1] Për më tepër shih: Rregullat Minimale Standarde të Kombeve të Bashkuara për dënimet alternative (Rregullat e Tokios), pika 9.1, link:
https://www.ohchr.org/EN/ProfessionalInterest/Pages/TokyoRules.aspx.
Kjo platformë është përgaditur nga Qendra ALTRI në kuadër të projektit “Nxitja e standarteve Europiane në mbrojtjen e të drejtave të njeriut për komunitet të qëndrueshme” i cili financohet nga Bashkimi Europian (BE) dhe zbatohet nga Shërbimi Ligjor Falas Tiranë (TLAS) në partneritet me Fondacionin Qendra Evropiane në Shqipëri.