Të drejtat e të ndaluarve në procedurat gjyqësore

Të drejtat e të ndaluarve në procedurat gjyqësore

 

Përmbushja e të drejtave të personave të ndaluar në proceset gjyqësore përbën një aspekt thelbësor të përmbushjes dhe garantimit të të drejtave themelore të njeriut, mirëfunksionimin e
drejtësisë, të shtetit të së drejtës dhe demokracisë.
Ky punim paraqet në mënyrë të përmbledhur standardet që parashikon legjislacioni shqiptar, ai europian dhe ndërkombëtar mbi:
1. të drejtën për një proces të rregullt gjyqësor;
2. parimin e prezumimit të pafajësisë dhe dënimit mbi bazë ligji;
3. të drejtën për t’u informuar në procedurën penale dhe
4. të drejtën e mbrojtjes ligjore në proceset gjyqësore.

    E drejta për një proces të rregullt gjyqësor

    Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, si akti themeltar i shtetit, sanksionon se liria, prona dhe të drejtat e njohura me Kushtetutë dhe me ligj nuk mund të cënohen pa një proces të rregullt ligjor.

    E drejta për një proces të rregull ligjor nënkupton që çdokush ka të drejtën e një gjykimi:

    • të drejtë dhe publik;
    • brenda një afati të arsyeshëm;
    • nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj.

    Kushtetuta jonë parashikon në mënyrë të shprehur:

    • Personit të cilit i është hequr liria kur ka dyshime të arsyeshme se ka kryer një vepër penale ose për të parandaluar kryerjen prej tij të veprës penale ose largimin e tij pas kryerjes së saj, duhet të dërgohet brenda 48 orëve përpara gjyqtarit.
      o Gjyqtari vendos paraburgimin ose lirimin e tij jo më vonë se 48 orë nga çasti i
      marrjes së dokumenteve për shqyrtim.
      – I paraburgosuri ka të drejtë të ankohet kundër vendimit të gjyqtarit.
    • Çdo person, të cilit i është hequr liria sipas nenit 27 4 , ka të drejtën e trajtimit njerëzor
      dhe të respektimit të dinjitetit të tij.

    Të drejtën për zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor e hasim gjithashtu që në dispozitat e para të Kodit të Procedurës Penale 5 i cili thekson se legjislacioni procedural penal ka për detyrë të sigurojë një procedim të drejtë, të barabartë e të rregullt ligjor si dhe të mbrojë liritë personale dhe të drejtat e interesat e ligjshme të shtetasve.

    Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut (e cila është në një nivel të barabartë me Kushtetutën tonë sa i përket kufizimeve të të drejtave dhe lirive themelore, përfshirë edhe kufizimet për të drejtën dhe lirinë e personit) sanksionon se çdo person, në përcaktimin e të drejtave dhe detyrimeve të tij civile ose të çdo akuze penale kundër tij, ka të drejtë që:

    • Çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme.
    • Vendimi duhet të jepet publikisht. Pavarësisht këtij rregulli, prania e publikut apo shtypit mund të ndalohet në sallën e gjyqit gjatë gjithë kohëzgjatjes së saj ose për një pjesë të seancës kur:
    1.  është në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri
      demokratike;
    2.  kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në
      proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana
      të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, në praktikën e saj gjyqësore lidhur me të drejtën.
    • Duke pasur parasysh faktin se asnjë ankesë nuk do të konsiderohet si e pranueshme nga Gjykata derisa të jenë ezauruar të gjitha shkallët gjyqësore vendase, gati të gjitha çështjet që pretendojnë se ka pasur shkelje të Nenit 6 do të gjykohen në gjykatat e shkallës më të lartë kombëtare përpara se të paraqiten në Strasburg.
    • Nevojitet një mbrojtje më e madhe për të drejtat personave të akuzuar për një vepër penale se sa për të drejtat e palëve në proceset civile, prandaj parimet dhe standartet e aplikueshme në proceset penale duhet të jenë veçanërisht më të qarta.
    • E drejta për një proces gjyqësor të rregullt kërkon që palët ndërgjyqëse të kenë një mjet juridik efektiv për mbrojtjen e të drejtave të tyre. 7
    • Përsa i përket standardeve në nivel ndërkombëtar në kuadër të Kombeve të Bashkuara lidhur me këtë të drejtë përmendim:

    • Gjithkush gëzon njëlloj të drejtën për një proces gjyqësor objektiv e publik para një gjykate të pavarur e të paanshme, në përcaktimin e të drejtave dhe detyrimeve të veta dhe për vendimin mbi çfarëdo lloj akuze penale. 8
    • Një person i ndaluar për një akuzë penale ka të drejtë të gjykohet brenda një kohe të arsyeshme ose të lirohet në pritje të gjykimit. 9
    • Një person i ndaluar për një akuzë penale do të dërgohet para një autoriteti gjyqësor ose autoriteti tjetër të parashikuar nga ligji menjëherë pas arrestimit të tij.
    • Autoriteti kompetent do të vendosë pa vonesë mbi ligjshmërinë dhe domosdoshmërinë e ndalimit;
    • Asnjë person nuk mund të mbahet në paraburgim në pritje të hetimit ose gjykimit, përveç me urdhër me shkrim të një autoriteti të tillë. 10

    Prezumimi i pafajsisë dhe dënimi mbi bazë ligji

    Prezumimi i pafajsisë dhe mosdënimi pa ligj kanë sanksionim në nivel ndërkombëtar
    (parashikuar në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut 11 dhe Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut 12 ) dhe sanksionim kushtetues në nivel të parimeve kushtetuese 13 në vendin tonë. Ato janë të detyrueshme për t’u zbatuar në drejtësinë penale. Standardet e lidhura me prezumimin e pafajsisë dhe mosdënimin pa ligj, të paraqitura në mënyrë të përmbledhur, janë: 14

    • Kushdo quhet i pafajshëm përderisa nuk i është provuar fajësia me vendim
      gjyqësor të formës së prerë (prezumimi i pafajsisë).
      o Në vijim të këtij parimi, çdo dyshim për akuzën çmohet në favor të të pandehurit
      dhe gjykata jep vendim fajësie kur i pandehuri rezulton fajtor për faktin penal që i
      atribuohet përtej çdo dyshimi të arsyeshëm.
    • Askush nuk mund të akuzohet ose të deklarohet fajtor për një vepër penale, e cila
      nuk konsiderohej e tillë me ligj në kohën e kryerjes së saj, me përjashtim të veprave, të cilat në kohën e kryerjes së tyre, përbënin krime lufte ose krime kundër njerëzimit sipas së drejtës ndërkombëtare.
    • Nuk mund të jepet një dënim më i rëndë se ai që ka qenë parashikuar me ligj në kohën e kryerjes së veprës penale.

    Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut në lidhje me këtë parim, shprehet se çdo person i akuzuar ka të drejtë të konsiderohet i pafajshëm deri sa fajësia e tij të vërtetohet në bazë të ligjit dhe në një proces publik në të cilin ka pasur të gjitha garancitë e duhura për mbrojtjen e vet.

    Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut mban të njëjtin qëndrim mbi këtë parashikim duke theksuar gjithashtu që këto parashikime nuk do të ndikojnë mbi gjykimin dhe dënimin e një personi për një veprim ose mosveprim, i cili, në momentin kur është kryer, quhej vepër penale sipas parimeve të përgjithshme të së drejtës, të njohura nga kombet e qytetëruara. 15

      E drejta për t’u informuar në procedurën penale

      E drejta për t’u informuar mbi akuzën është një e drejtë të cilën e gëzon çdo person i arrestuar apo i ndaluar. Standardet që parashikon legjislacioni shqiptar mbi këtë të drejtë, në mënyrë të përmbledhur, paraqiten menjëherë në vijim.

      Çdo person në procesin penal ka të drejtë: 16

      • të vihet në dijeni menjëherë dhe hollësisht për akuzën që i bëhet;
      • të njoftohet në gjuhën që ai kupton;
      • të ketë ndihmën pa pagesë të një përkthyesi, kur nuk flet ose nuk kupton gjuhën shqipe;
      • të informohet mbi të drejtat e tij;
      • t’i krijohet mundësia për të njoftuar familjen ose të afërmit e tij;
         në rast se i arrestuari ose i ndaluari është shtetas i huaj, ai ka të drejtë të kërkojë të njoftohet përfaqësia konsullore ose diplomatike e vendit të tij;
         në rast se është person pa shtetësi apo refugjat, ai ka të drejtë të kërkojë të
        njoftohet një organizatë ndërkombëtare;
      • të njoftohet se nuk ka asnjë detyrim të bëjë ndonjë deklaratë;
      • të njoftohet se ka të drejtë të komunikojë menjëherë me avokatin;
      • të njihet me aktet, provat e nevojshme dhe arsyet e arrestimit ose ndalimit të tij.

      Përsa i përket standardeve në nivel europian mbi të drejtën e informimit mbi akuzën, Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut parashikon se personi ka të drejtë: 17

      • të informohet brenda një afati sa më të shkurtër, në një gjuhë që ai e kupton dhe në mënyrë të hollësishme, për natyrën dhe për shkakun e akuzës që ngrihet ndaj tij.
      • të ndihmohet falas nga një përkthyes, në qoftë se nuk kupton ose nuk flet gjuhën e përdorur në gjyq.

      Ne kontekst të legjislacionit evropian për çështjen në analizë, përmendim Direktivat
      2012/13/BE 18 dhe 2013/48/BE 19 .

        Direktiva 2012/13/BE “Mbi të drejtën e informacionit në procedurat penale” parashikon se shtetet anëtare duhet të sigurojnë që: 20

        • të dyshuarve ose personave të akuzuar t’u sigurohet informacion në lidhje me veprën penale për të cilën dyshohen ose akuzohen se kanë kryer;
        • ky informacion do të sigurohet menjëherë dhe me detaje të nevojshme për të mbrojtur drejtësinë e procedurave dhe ushtrimin efektiv të të drejtave të mbrojtjes;
        • të informohen për arsyet e arrestimit ose ndalimit të tyre, përfshirë veprën penale për të cilën dyshohen ose akuzohen se kanë kryer;
        • të jepet informacion i hollësishëm mbi akuzën, përfshirë natyrën dhe klasifikimin ligjor të veprës penale, si dhe natyrën e pjesëmarrjes nga personi i akuzuar;
        • të informohen menjëherë për çdo ndryshim në informacionin e dhënë;
        • t’ju vihen në dispozicion personave të arrestuar ose avokatëve të tyre dokumentet në lidhje me çështjen specifike në posedim të autoriteteve kompetente;
        • qasja në informacion të jepet të paktën për të gjitha provat materiale në posedim të autoriteteve kompetente, qoftë pro ose kundër të dyshuarve ose personave të akuzuar, në mënyrë që të mbrojnë drejtësinë e procedurave dhe përgatitin mbrojtjen;
        •  kur prova të mëtejshme materiale vijnë në posedim të autoriteteve kompetente, të akuzuarit do t’i njoftohen në kohën e duhur;
        • aksesi në materiale të caktuara mund të refuzohet nëse një qasje e tillë mund të çojë në një kërcënim serioz për jetën ose të drejtat themelore të një tjetri;

        Direktiva 2013/48/BE “Mbi të drejtën e pasjes së avokatit në procedurat penale dhe në procedurat evropiane të flet-arrestit dhe mbi të drejtën për të pasur një palë të tretë të informuar mbi heqjen e lirisë dhe të komunikojnë me persona të tretë dhe me autoritetet konsullore ndërsa janë të privuar nga liria” parashikon se shtetet anëtare duhet të sigurojnë për të pandehurit: 21

        • të drejtën për pasur të paktën një person, të tillë si një i afërm ose një punëdhënës, të emëruar prej tyre, të informuar për heqjen e tyre të lirisë pa vonesë të panevojshme;
          nëse personi i dyshuar ose i akuzuar është një fëmijë, mbajtësi i përgjegjësisë
          prindërore të fëmijës të informohet sa më shpejt të jetë e mundur për heqjen e
          lirisë dhe për arsyet që i përkasin asaj, përveç nëse do të ishte në kundërshtim me
          interesat më të mira të fëmijës, në këtë rast do të informohet një i rritur tjetër i
          përshtatshëm;

        Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar “Parimet e Përgjithshme për Mbrojtjen e të gjithë Personave të Ndaluar nën cilëndo formë të Paraburgimit ose Burgosjes” në të cilën parashikohen këto parime sa i përket të drejtës për informim në procedurat penale: 22

        • Çdo person, në momentin e arrestimit dhe në fillimin e ndalimit ose burgimit, ose menjëherë pas kësaj, do të sigurohet nga autoriteti përgjegjës për arrestimin, ndalimin ose burgosjen e tij, përkatësisht me informacionin dhe shpjegimin e të drejtave të tij dhe mënyrën e përdorimit.
        • Një person i cili nuk e kupton ose nuk flet në mënyrë adekuate gjuhën e përdorur nga autoritetet përgjegjëse për arrestimin, ndalimin ose burgosjen e tij ka të drejtë të marrë menjëherë në një gjuhë të cilën ai e kupton informacionin dhe të ketë ndihmën falas, nëse është e nevojshme, të një përkthyesi në lidhje me procedurat ligjore pas arrestimit të tij.

        E drejta e mbrojtjes ligjore në proceset gjyqësore

        Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ka përcaktuar standartet vijuese mbi ushtrimin e të drejtës së mbrojtjes se kushdo ka të drejtë që: 23

        • të dëgjohet para se të gjykohet;
        • të ketë kohën dhe lehtësitë e mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen e vet;
        • të mbrohet vetë ose me ndihmën e një mbrojtësi ligjor të zgjedhur prej tij;
        • të komunikojë lirisht dhe privatisht me mbrojtësin, si dhe t’i sigurohet mbrojtja falas, kur nuk ka mjete të mjaftueshme;
        • t’u bëjë pyetje dëshmitarëve të pranishëm dhe të kërkojë paraqitjen e dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.

        Kodi i Procedurës Penale parashikon ndër të tjera mbrojtjen e detyrueshme në procesin penal dhe rastet kur duhet të sigurohet ajo. Organi procedues duhet t’i sigurojë menjëherë një mbrojtës të paguar nga shteti të pandehurit që nuk ka zgjedhur mbrojtës ose ka mbetur pa të kur: 24
        a) është nën moshën tetëmbëdhjetë vjeç;
        b) nuk dëgjon dhe nuk flet;
        c) është me aftësi të kufizuara, që e pengojnë për të realizuar vetë të drejtën e mbrojtjes;
        d) është akuzuar për një vepër penale, për të cilën ligji parashikon dënim në maksimum jo
        më pak se 15 vjet me burgim;
        e) akuzohet për një vepër penale të korrupsionit apo të krimit të organizuar;
        f) është deklaruar i ikur ose në mungesë, me vendim gjykate;
        g) merret në pyetje personi i arrestuar ose i ndaluar;
        h) në rastet e mbledhjes së të dhënave mbi personin ndaj të cilit zhvillohen hetimet;
        i) në çdo rast tjetër të parashikuar nga ligji.

        E drejta e të akuzuarit për mbrojtje garantohet edhe kur nuk janë rastet e mbrojtjes së detyrueshme dhe i pandehuri, që nuk ka mjete financiare të mjaftueshme, kërkon mbrojtës. Në këto raste, organi procedues cakton mbrojtësin nga lista e vënë në dispozicion nga institucionet e ndihmës juridike falas. Shpenzimet e mbrojtjes mbulohen nga shteti. 25 Personi i arrestuar në flagrancë ose i ndaluar ka të drejtë të flasë me mbrojtësin menjëherë pas arrestimit ose ndalimit.
        I pandehuri i paraburgosur ka të drejtë të flasë me mbrojtësin e tij që në momentin e ekzekutimit të masës së sigurimit. 26

        Legjislacioni ynë penal parashikon shtrirjen e të drejtave të të pandehurit tek mbrojtësi, që do të thotë se mbrojtësi gëzon të njëjtat të drejta që ligji i njeh të akuzuarit, përveç atyre që i rezervohen personalisht mbrojtësit. Mbrojtësi ka të drejtë: 27

        • të komunikojë lirisht dhe vetëm për vetëm me të ndaluarin, të arrestuarin apo të dënuarin;
        • të njoftohet paraprakisht për kryerjen e veprimeve hetimore ku është i pranishëm i pandehuri dhe të marrë pjesë në to;
        •  t’u drejtojë pyetje të pandehurit, dëshmitarëve dhe ekspertëve;
        • të njihet me të gjithë materialin e çështjes në përfundim të hetimeve.

          Në nivel europian, Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut parashikon se çdo person i akuzuar për një vepër penale ka të drejtën:

          • t’i jepet koha dhe lehtësitë e përshtatshme për përgatitjen e mbrojtjes;
          • të mbrohet vetë ose të ndihmohet nga një mbrojtës i zgjedhur prej tij;
          • në qoftë se ai nuk ka mjete të mjaftueshme për të shpërblyer mbrojtësin, t’i mundësohet ndihma ligjore falas kur këtë e kërkojnë interesat e drejtësisë;
          • të pyesë, ose të kërkojë që të merren në pyetje dëshmitarët e akuzës dhe të ketë të drejtën e thirrjes dhe të pyetjes të dëshmitarëve në favor të tij, në kushte të njëjta me dëshmitarët e akuzës;

          Direktiva 2013/48/BE 28 parashikon të drejtën për avokat në procedurat penale dhe thekson se shtetet anëtare duhet të sigurojnë që:

          • të dyshuarit dhe personat e akuzuar të kenë të drejtën e qasjes tek një avokat në atë kohë dhe në një mënyrë të tillë që të lejojë personat e interesuar të ushtrojnë të drejtat e tyre të mbrojtjes në mënyrë praktike dhe efektive;
          • të kenë akses tek një avokat pa vonesa të panevojshme;
          • në çdo rast, të dyshuarit ose personat e akuzuar do të kenë qasje te një avokat për cilëndo nga pikat e mëposhtme:
            i. para se të merren në pyetje nga policia ose nga një autoritet tjetër i zbatimit të
            ligjit ose gjyqësor;
            ii. me kryerjen nga autoritetet hetuese ose autoritetet e tjera kompetente të një akti hetimor ose mbledhje të provave;
            iii. pas heqjes së lirisë, pa vonesa të panevojshme;
            iv. kur ata janë thirrur të paraqiten para një gjykate që ka juridiksion në çështjet
            penale, në kohën e duhur para se të paraqiten para asaj gjykate.
          • të dyshuarit ose personat e akuzuar të kenë të drejtën të takohen privatisht dhe të komunikojnë me avokatin që i përfaqëson ata, duke përfshirë para marrjes në pyetje nga policia ose nga një autoritet tjetër i zbatimit të ligjit ose gjyqësor;
          • të kenë të drejtën që avokati i tyre të jetë i pranishëm dhe të marrë pjesë efektivisht kur pyeten;
          • të dyshuarit ose personat e akuzuar që janë privuar nga liria të jenë në gjendje të
            ushtrojnë në mënyrë efektive të drejtën e tyre të qasjes në një avokat, përveç nëse ata kanë hoqi dorë nga kjo e drejtë.

          Rregullat Evropiane të Burgjeve 29 në lidhje me mbrojtjen ligjore parashikon këto standarde: 30

          • Të burgosurit mund të konsultohen për çdo çështje ligjore me një këshilltar ligjor të zgjedhur prej tyre dhe me shpenzimet e tyre.
          • Kur ka një skemë të njohur të ndihmës juridike falas, autoritetet duhet ta sjellin atë në vëmendjen e të gjithë të burgosurve.
          • Konsultimet dhe komunikimet e tjera, duke përfshirë korrespondencën në lidhje me çështjet ligjore midis të burgosurve dhe këshilltarëve të tyre ligjorë, janë konfidenciale.
          • Një autoritet gjyqësor në rrethana të jashtëzakonshme mund të autorizojë kufizime të konfidencialitetit të tillë për të parandaluar krimin serioz ose shkeljet e mëdha të sigurisë dhe sigurisë së burgut.

          Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, në jurisprudencën e saj thekson se aksesi i shpejtë te një avokat përbën një kundërpeshë të rëndësishme ndaj cënueshmërisë së personave në paraburgim, ofron një mbrojtje themelore kundër detyrimit dhe keqtrajtimit dhe kontribuon në parandalimin e dështimeve të drejtësisë dhe përmbushjen e qëllimeve të një gjykimi të drejtë sipas nenit 6 të KEDNJ. Nga perspektiva e së drejtës për një gjykim të drejtë, qasja tek një avokat duhet t’u jepet të gjithë ‘të akuzuarve për një vepër penale;. Çdo person që dëshiron të konsultohet me një avokat duhet të jetë i lirë ta bëjë këtë në kushte që favorizojnë diskutimin e plotë dhe të papërmbajtur (i akuzuari të ndihet i lirë në diskutimin me avokatin e tij dhe diskutimi i tyre të jetë konfidencial). 31

          Në nivelin e parashikimeve të Kombeve të Bashkuara, standardet janë thuajse të njëjta me ato që paraqitëm më lart nga legjislacioni ynë vendas dhe ai europian. Në mënyrë të përmbledhur, parashikimet mbi të drejtën për ushtrimin e mbrojtjes sipas Kombeve të Bashkuara janë: 32

          • Gjithkush ka të drejtë për mjete juridike të frytshme para gjykatave kompetente
            kombëtare për veprimet me të cilat shkelen të drejtat themelore të garantuara nga kushtetuta ose ligjet.
          • Personi i ndaluar ka të drejtë të ketë ndihmën e një këshilltari ligjor.
          • Nëse një person i ndaluar nuk ka një këshilltar ligjor sipas zgjedhjes së tij, ai ka të drejtë të ketë një këshilltar ligjor të caktuar për të nga një organ gjyqësor ose një autoritet tjetër në të gjitha rastet kur interesat e drejtësisë e kërkojnë atë dhe pa pagesë nga ai nëse ai nuk ka mjete të mjaftueshme për të paguar.
          • Një person i ndaluar ose i burgosur ka të drejtë të komunikojë dhe konsultohet me
            këshilltarin e tij ligjor
          • Një personi të ndaluar ose të burgosur do t’i lejohet koha dhe mjediset e përshtatshme për konsultim me këshilltarin e tij ligjor.
          • Komunikimet midis një personi të ndaluar ose të burgosur dhe këshilltarit të tij ligjor të përmendur në këtë parim janë të papranueshme si prova kundër personit të ndaluar ose të burgosur përveç nëse ato janë të lidhura me një krim të vazhdueshëm ose të parashikuar.

          Referenca

          [1] Shih nenin 42 të Kushtetutës së RSH (lIgj nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar) aksesuar në:

          https://qbz.gov.al/previeë/635d44bd-96ee-4bc5-8d93-d928cf6f2abd.

          [1] Po aty.

          [1] Po aty, neni 28.

          [1] Neni 27/2: Liria e personit nuk mund të kufizohet, përveçse në rastet e mëposhtme: a) kur është dënuar me burgim nga gjykata kompetente; b) për moszbatim të urdhrave të ligjshëm të gjykatës ose për moszbatim të ndonjë detyrimi të caktuar me ligj; c) kur ka dyshime të arsyeshme se ka kryer një vepër penale ose për të parandaluar kryerjen prej tij të veprës penale ose largimin e tij pas kryerjes së saj; ç) për mbikëqyrjen e të miturit për qëllime edukimi ose për shoqërimin e tij në organin kompetent; d) kur personi është përhapës i një sëmundjeje ngjitëse, i paaftë mendërisht dhe i rrezikshëm për shoqërinë; dh) për hyrje të paligjshme në kufirin shtetëror, si dhe në rastet e dëbimit ose të ekstradimit.

          [1] Kodi i Procedurës Penale (Ligj Nr. 7905, datë 21.3.1995 “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar), aksesuar në:

          https://qbz.gov.al/previeë/b4819f4d-c246-49b3-87a9-2e6c8512c975.

          [1] Vërejmë se informacion të përmbledhur për praktikën e GJEDNJ lidhur me rastet shqiptare të lidhura me të drejtën për një proces të rregullt në gjuhën shqipe dhe për standartet e vëna nga GJEDNJ lidhur me rastet që nuk janë pranuar, rastet që janë çregjistruar apo ku janë dhe nuk janë konstatuar shkelje, mund t’i gjeni në linkun:

          http://www.gjk.gov.al/ëeb/Neni_6_Edrejta_per_nje_proces_te_rregullt_1742_1.php.

          [1] Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, neni 10. Për më tepër shih linkun vijues: https://www.crca.al/sites/default/files/publications/Deklarata%20Universale%20e%20te%20Drejtave%20te%20Njeriut%20%281948%29.pdf.

          [1] Parimet e Përgjithshme për Mbrojtjen e të gjithë Personave nën cilëndo formë të Paraburgimit ose Burgosjes – Miratuar nga Asambleja e Përgjithshme me rezolutën 43/173 të datës 9 Dhjetor 1988, Parimi 38. Për më tepër klikoni linkun: https://www.ohchr.org/EN/ProfessionalInterest/Pages/DetentionOrImprisonment.aspx.

          [1] Po aty, Parimi 37.

          [1] Konventa Europiane të të Drejtave të Njeriut, nenet 6 e 7. E gjeni në linkun vijues: https://observator.org.al/ëp-content/uploads/2015/09/Konventa_Europiane_per_te_Drejtat_e_Njeriut.pdf.

          [1] Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, neni 11. Për më tepër shih linkun vijues: https://www.crca.al/sites/default/files/publications/Deklarata%20Universale%20e%20te%20Drejtave%20te%20Njeriut%20%281948%29.pdf.

          [1] Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, nenet 29 e 30.

          [1] Neni 4 i Kodi i Procedurës Penale, neni 4; Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, neni 29.

          [1] Konventa Europiane të të Drejtave të Njeriut, neni 7. E gjeni në linkun vijues: https://observator.org.al/ëp-content/uploads/2015/09/Konventa_Europiane_per_te_Drejtat_e_Njeriut.pdf.

          [1] Për më tepër, shih: Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, neni 31; Kodi i Procedurës Penale, neni 34/b.

          [1] Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, neni 6(3). E gjeni në linkun vijues: https://observator.org.al/ëp-content/uploads/2015/09/Konventa_Europiane_per_te_Drejtat_e_Njeriut.pdf.

          [1] Direktiva 2012/13/BE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit të 22 majit 2012 mbi të drejtën e informacionit në procedurat penale. Link:

          https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/?uri=celex:32012L0013.

          [1] Direktiva 2013/48 / BE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit të 22 tetorit 2013 mbi të drejtën e pasjes së avokatit në procedurat penale dhe në procedurat evropiane të fletarrestit dhe mbi të drejtën për të pasur një palë të tretë të informuar mbi heqjen e lirisë dhe të komunikojnë me persona të tretë dhe me autoritetet konsullore ndërsa janë të privuar nga liria. Link:

          https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/?uri=celex%3A32013L0048.

          [1] Direktiva 2012/13/BE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit të 22 majit 2012 mbi të drejtën e informacionit në procedurat penale, nenet 6-7. Link:

          https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/?uri=celex:32012L0013.

          [1] Direktiva 2013/48 / BE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit të 22 tetorit 2013 mbi të drejtën e pasjes së avokatit në procedurat penale dhe në procedurat evropiane të fletarrestit dhe mbi të drejtën për të pasur një palë të tretë të informuar mbi heqjen e lirisë dhe të komunikojnë me persona të tretë dhe me autoritetet konsullore ndërsa janë të privuar nga liria. Link:

          https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/?uri=celex%3A32013L0048.

          [1] Parimet e Përgjithshme për Mbrojtjen e të gjithë Personave nën cilëndo formë të Paraburgimit ose Burgosjes – Miratuar nga Asambleja e Përgjithshme me rezolutën 43/173 të datës 9 Dhjetor 1988, Parimet 13 dhe 14. Për më tepër klikoni linkun:https://www.ohchr.org/EN/ProfessionalInterest/Pages/DetentionOrImprisonment.aspx.

          [1] Për më tepër, shih: Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, nenet 31 dhe 33.

          [1] Për më tepër, shih: Kodi i Procedurës Penale, nenet 49 dhe 49/a.

          [1] Kodi i Procedurës Penale, neni 49/a.

          [1] Kodi i Procedurës Penale, neni 53.

          [1] Kodi i Procedurës Penale, neni 50.

          [1] Direktiva 2013/48 / BE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit të 22 tetorit 2013 Mbi të drejtën e pasjes së avokatit në procedurat penale dhe në procedurat evropiane të fletarrestit dhe mbi të drejtën për të pasur një palë të tretë të informuar mbi heqjen e lirisë dhe të komunikojnë me persona të tretë dhe me autoritetet konsullore ndërsa janë të privuar nga liria, neni 3. Për më shumë, klikoni mbi këtë link: https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/?uri=celex%3A32013L0048.

          [1] Bëhet fjalë për Rekomandimin REC (2006) 2 të Këshillit të Ministrave për Vendet Anëtare mbi Rregullat Evropiane të Burgjeve. Në gjuhën shqipe mund ta gjeni në linkun vijues: https://Search.Coe.Int/Cm/Pages/Result_Details.Aspx?Objectid=09000016805d8d25.

          [1] Për më tepër shih: Rregullat Evropiane të Burgjeve, pika 23.

          [1] Shih: Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, neni 8 [link: https://www.crca.al/sites/default/files/publications/Deklarata%20Universale%20e%20te%20Drejtave%20te%20Njeriut%20%281948%29.pdf];Parimet e Përgjithshme për Mbrojtjen e të gjithë Personave nën cilëndo formë të Paraburgimit ose Burgosjes – Miratuar nga Asambleja e Përgjithshme me rezolutën 43/173 të datës 9 Dhjetor 1988, Parimet 17 dhe 18 [link: https://www.ohchr.org/EN/ProfessionalInterest/Pages/DetentionOrImprisonment.aspx].

          Kjo platformë është përgaditur nga Qendra ALTRI në kuadër të projektit “Nxitja e standarteve Europiane në mbrojtjen e të drejtave të njeriut për komunitet të qëndrueshme” i cili financohet nga Bashkimi Europian (BE) dhe zbatohet nga Shërbimi Ligjor Falas Tiranë (TLAS) në partneritet me Fondacionin Qendra Evropiane në Shqipëri.

          Scroll Up