Trajtimi Specifik i të paraburgosurave dhe burgosurave të gjinisë femërore.

Trajtimi specifik i të paraburgosurave dhe të burgosurave të gjinisë femërore

Legjislacioni ynë dhe ai evropian i parashikon gratë e paraburgosura ose të dënuara si një nga grupet me nevoja të veçanta për të cilat parashikohen kushte specifike trajtimi dhe u jepet vëmendje e veçantë në përputhje me nevojat e tyre fizike, profesionale, sociale dhe psikologjike.

Në vijim paraqiten standartet tona dhe evropiane për trajtimin specifik të të paraburgosurave dhe të dënuarave të gjinisë femërore lidhur me:

  1. kushtet e burgimit,
  2. kontaktin me botën e jashtme,
  3. shërbimin shëndetësor,
  4. kujdesin ndaj grave shtatzëna (para dhe pas lindjes) dhe kujdesi ndaj fëmijëve,

Kushtet e burgimit

[Për informacion mbi parashikimet në tërësi në lidhje me kushtet e burgimit mund të konsultoni materialin “Kushtet e Burgimit të të Paraburgosureve dhe të Dënuarve”, link:

Legjislacioni shqiptar parashikon se gratë e burgosura trajtohen duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore dhe pa diskriminim për çdo shkak të parashikuar nga legjislacioni në fuqi për mbrojtjen nga diskriminimi, duke parandaluar çdo akt dhune me bazë gjinore, që sjell dëmtim fizik, seksual ose psikologjik, vuajtje ose çdo formë tjetër abuzimi e keqtrajtimi, që dënohet sipas legjislacionit në fuqi.[i]

Grave të dënuara apo të paraburgosura të porsaardhura iu sigurohen: [ii]

  • lehtësira për të kontaktuar me të afërmit e tyre;
  • mundësi për këshillim ligjor;
  • informacion në një gjuhë të kuptueshme mbi rregullat e brendshme të institucionit dhe regjimin e burgut, si dhe ku të drejtohen për ndihmë në rast nevoje.

  • Përsa i përket vendosjes dhe strehimit, legjislacioni shqiptar parashikon që:
  • të paraburgosurat femra vendosen në dhoma ose seksione të veçanta nga meshkujt dhe mbahen vetëm nën mbikëqyrjen e kujdesin e personelit të së njëjtës gjini;[iii]
  • të dënuarat dhe të paraburgosurat gra ose vajza vendosen në dhoma ose seksione të veçanta nga meshkujt dhe mbahen në mbikqyrjen dhe kujdesin e personelit femëror. Vendosja e tyre bëhet, brenda mundësive, në institucione që ndodhen afër vendbanimit të tyre ose vendeve të rehabilitimit shoqëror, duke marrë parasysh përgjegjësitë e tyre përkujdesëse, si dhe pëlqimin individual të gruas dhe disponueshmërinë e programeve dhe shërbimeve të përshtatshme.[iv]

Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit Çnjerëzor ose Degradues ose Ndëshkimit (KPT) i krijuar në kuadër të Konventës Evropiane për Parandalimin e Torturës dhe Dënimeve ose Trajtimeve Çnjerëzore ose Poshtëruese[v], në një raport të vitit 2018 të hartuar posaçërisht për gratë në burg, ka përcaktuar standartet vijuese në formë rekomandimesh:[vi]

  • administratat e burgjeve të largohen nga formatet e akomodimit me kapacitet të madh, në favor të njësive më të vogla të jetesës pasi lejojnë një qasje të përshtatur më mirë për nevojat e tyre të veçanta;
    • gratë në burg, si parim, duhet të mbahen në akomodim i cili është fizikisht i ndarë nga ai i zënë nga burrat që mbahen në të njëjtin institucion;
  • fakti që një institucion mban vetëm një grua, mund të rezultojë në një grua të akomoduar për periudha të gjata në një njësi paraburgimi/burgimi duke e bërë atë subjekt të një regjimi kufizues të padrejtë, prandaj mund t’i nënshtrohet de facto një regjimi të ngjashëm me izolimin:
    • në raste të tilla, autoritetet duhet të kërkojnë ta transferojnë gruan në një strehim të përshtatshëm. Nëse transferimi i tillë nuk është i mundur, autoritetet duhet të bëjnë përpjekjet e nevojshme për t’i siguruar gruas aktivitete të qëllimshme jashtë qelisë dhe kontakte të përshtatshme njerëzore;
  • në burgjet e grave, epërsia e personelit në kontakt me të burgosurat duhet të jetë femër. Personat e privuar nga liria duhet të kontrollohen vetëm nga personeli i të njëjtit seks dhe çdo kërkim që kërkon një të burgosur të zhvishet duhet të kryhet larg syve të personelit të kujdestarisë të gjinisë së kundërt.

Përsa i përket higjenës, gjejmë parashikimet vijuese në ligjin “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”[i] dhe Rregulloren e Përgjithshme e Burgjeve[ii]:

  • çdo institucion duhet të sigurojë vecanërisht vëmendje të veçantë për kushtet e higjenës të të burgosurave gra e vajza përsa i përket shërbimeve periodike të mirëmbajtjes dhe pastrimit të mjediseve, të veshmbathjes, të pajisjeve vetjake, si dhe të kujdesit personal;[iii]
  • grave të dënuara apo të paraburgosura duhet t’u krijohen lehtësira dhe materiale të nevojshme për plotësimin e nevojave specifike të higjienës së tyre, duke përfshirë peshqirë sanitarë falas dhe furnizim të rregullt me ujë për kujdesin personal të fëmijëve dhe grave, veçanërisht atyre që kanë fëmijë deri në 3 vjeç dhe janë shtatzëna.[iv]

Rregullat Evropiane të Burgjeve[i] dhe Raporti i KPT “Gratë në burg”[ii] parashikojnë garantimin e nevojave specifike të higjienës së grave në mënyrë të përshtatshme. Institucionet duhet të sigurojnë pajisjet e nevojshme saniare dhe të larjes, sasitë e përshtatshme të produkteve thelbësore të higjienës, të tilla si: peshqirët, tamponët etj. Dështimi për t’u siguruar grave në burg sende të tilla, sipas KPT, mund të përbëjë, në vetvete, një trajtim degradues. Të gjithë të burgosurat duhet të kenë qasje në tualete në çdo kohë.

  • Përsa i përket aksesit të barabartë në aktivitete, gratë në burg duhet të gëzojnë akses në një program gjithëpërfshirës të aktiviteteve si punë, trajnim, arsim dhe sport, në një bazë të barabartë me burrat.[iii]

Kontakti me botën e jashtme

[Për informacion mbi parashikimet në tërësi në lidhje me kontaktet me botën e jashtme të të para/burgosurve mund të konsultoni materialin “Kontakti me botën e jashtme i të Paraburgosureve dhe të Dënuarve”, link: https://tedrejtatetedenuarve.al/kontakti-me-boten-e-jashme-te-paraburgosur-dhe-personave-te-denuar-me-heqje-lirie/] 

Për shkak të numrit të kufizuar të institucioneve ku gratë mund të vuajnë dënimin e tyre, ato shpesh ndodhen shumë larg shtëpive të tyre, gjë që ndikon negativisht në kontaktet me familjet dhe miqtë e tyre. Në parim, të gjithë të burgosurve duhet t’u jepet mundësia të mbajnë marrëdhëniet e tyre me familjen dhe miqtë e tyre, dhe veçanërisht me bashkëshortët ose partnerët dhe fëmijët e tyre. Vazhdimi i marrëdhënieve të tilla mund të ketë një rëndësi kritike për të gjithë të interesuarit, veçanërisht në kontekstin e rehabilitimit social të të burgosurave. [i]

Sipas ligjit “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”[ii] dhe Rregullores së Përgjithshme e Burgjeve[iii], të paraburgosurave dhe të dënuarave gra u lejohet:

  • 16 herë në muaj biseda telefonike me familjarët, të afërmit dhe miqtë e saj. Për të paraburgosurat dhe burgosurat që nuk kanë mjete financiare, biseda telefonike i lejohet një herë në muaj deri në 5 minuta me shpenzimet e institucionit.

KPT (Komiteti për Parandalimin e Torturës) në raportin e vitit 2018 për gratë në burg, ka përcaktuar standartet vijuese në formë rekomandimesh:[iv]

    • Vizitat e hapura, duke lejuar kontaktin fizik me miqtë dhe veçanërisht fëmijët dhe partnerët, duhet të jenë normë.
      • Vendimi për të imponuar vizita të mbyllura duhet të jetë gjithmonë i bazuar dhe i arsyetuar, dhe i bazuar në një vlerësim individual të rreziqeve të mundshme.
      • Grave në burg duhet t’u ofrohet mundësia e vizitave bashkëshortore në të njëjtën mënyrë me burrat. Është e rëndësishme që vizitat me bashkëshortët ose partnerët ose të afërm të tjerë të ngushtë të bëhen të mundshme edhe kur persona të tillë janë burgosur, qoftë në të njëjtin apo në një institucion tjetër.
  • Një përqindje e lartë e grave në burg janë nënat dhe kujdestaret kryesore në familje. Ndarja nga familjet dhe fëmijët mund të ketë një efekt veçanërisht të dëmshëm si për të burgosurit ashtu edhe për familjet e tyre, veçanërisht për fëmijët e tyre. Në pikëpamje të rëndësisë kritike të mbajtjes së marrëdhënieve familjare për gratë në burg, kontakti me familjet e tyre, përfshirë fëmijët e tyre dhe kujdestarët dhe përfaqësuesit ligjorë të fëmijëve të tyre, duhet të inkurajohet dhe lehtësohet nga të gjitha mjetet e arsyeshme.
    • Orët e vizitave, në veçanti, duhet të lejojnë kontakte me fëmijë të moshës shkollore ose të afërm që punojnë që mund t’i shoqërojnë ata. Gratë e burgosura mund të lejohen të marrin më shumë kohë nëse vizitat janë me pak të shpeshta.

Shërbimi shëndetësor

Kujdesi shëndetësor i grave të dënuara apo të paraburgosura sipas parashikimeve të legjislacionit tonë, ofrohet mbështetur në nevojat specifike gjinore dhe përfshin kontroll të plotë për të përcaktuar nevojat e kujdesit shëndetësor parësor. Kontrolli mjekësor i grave të dënuara apo të paraburgosura, duhet të përfshijë kontroll gjithëpërfshirës për të përcaktuar nevojat parësore të kujdesit shëndetësor, dhe gjithashtu duhet të përcaktojë: [i]

  • praninë e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme ose sëmundjeve të mbartura nëpërmjet gjakut; dhe, në varësi të faktorëve të riskut, grave të dënuara mund t’u ofrohen teste për HIV-in, me këshillim para dhe pas testit;
  • nevojat e kujdesit të shëndetit mendor, duke përfshirë çrregullimin e stresit post traumatik dhe rrezikun e vetëdëmtimit dhe/apo vetëvrasjes;
  • historinë e shëndetit riprodhues të gruas së dënuar, duke përfshirë shtatëzëni ekzistuese ose të fundit, si dhe problematika në lindje dhe të tjera të lidhura me shëndetin riprodhues;
  • ekzistencën e varësisë nga droga;
  • abuzimin seksual dhe format e tjera të dhunës të pësuara para pranimit.

Të dënuarave apo të paraburgosurave të mitura u garantohen të drejtat vijuese: [ii]

  • programe dhe shërbime specifike me qasje sipas moshës dhe gjininë;
  • informohen në një gjuhë të kuptueshme për kujdesin shëndetësor për parandalimin e sëmundjeve të ndryshme, higjienën vetjake, për format e dhunës dhe çdo lloj abuzimi;
  • gratë dhe të miturat që kanë pasur përvoja të dhunës fizike, psikologjike, seksuale, u nënshtrohen programeve të kujdesit shëndetësor për trajtimin dhe rehabilitimin e tyre;
  • kontrollet intime ndaj tyre mund të përligjen vetëm nga dyshime të arsyeshme për një rast individual dhe kryhen vetëm nga personeli mjekësor.

Rregullat Evropiane të Burgjeve[i] përcaktojnë se shërbimet mjekësore në burg duhet të organizohen në lidhje të ngushtë me administratën e përgjithshme shëndetësore të komunitetit ose kombit, të integrohet dhe të jetë në përputhje me politikën shëndetësore kombëtare. Njësoj parashikohet edhe në raportin e vitit 2018 të KPT për gratë në burg, ku përcaktohen standartet vijuese në formë rekomandimesh:[ii]

  • kujdesi shëndetësor duhet të jetë i një standarti ekuivalent me atë që gëzon popullata në komunitetin e jashtëm. Sigurimi që të respektohet ky parim i ekuivalencës së kujdesit në lidhje me gratë në burg kërkon që kujdesi shëndetësor të sigurohet nga mjekë dhe infermierë që kanë trajnim specifik në çështjet shëndetësore të grave, përfshirë gjinekologjinë;
  • grave në burg duhet që t’u ofrohen masat parandaluese të kujdesit shëndetësor me rëndësi të veçantë për ta, të tilla si shqyrtimi për kancerin e gjirit dhe qafës së mitrës;
    • furnizimi me ilaçe: grave që kanë filluar një trajtim mjekësor para se të burgosen, duhet tu sigurohet furnizimi me ilaçe në mënyrë që ta vazhdojnë atë në burg;
  • pilula kontraceptive, për çfarëdo arsye që është përshkruar, nuk duhet t’u mbahet grave që dëshirojnë ta marrin atë. E drejta e gruas për integritet trupor nuk zvogëlohet për shkak të burgosjes së saj. Kur pilula e abortit dhe/ose forma të tjera të abortit në fazat e mëvonshme të shtatzënisë janë në dispozicion për gratë në komunitetin e jashtëm, ato duhet të jenë në dispozicion në të njëjtat kushte për gratë në burg;
  • një ekzaminim i brendshëm intim duhet të kryhet vetëm nga një mjek. Ekzaminimet e kësaj natyre intime duhet të kryhen në një mënyrë që të respektojë, në masën më të madhe të mundshme, sigurinë dhe dinjitetin e gruas.

Kujdesi ndaj grave shtatëzana (para dhe pas lindjes) si dhe kujdesi ndaj fëmijëve

Lidhur me këtë çështje ligji “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”[i] dhe Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve[ii] parashikojnë që:[iii]

  • të dënuarave u lejohet të mbajnë me vete fëmijët deri në moshën 3 vjeç: institucioni duhet të krijojë mundësinë që e dënuara të jetojë me fëmijën në seksionin e posaçëm të grave me fëmijë (sistemimi i fëmijës bëhet me personel të kualifikuar në seksione të veçanta për nënat me fëmijë); vendimi për të larguar fëmijën nga nëna para moshës 3 vjeç mund të merret nga gjykata në rastet kur diktohet nga interesi më i lartë i fëmijës, bazuar në kërkesën e prindit tjetër, kujdestarit ligjor ose strukturave për mbrojtjen e fëmijëve.
  • gratë shtatzëna dha ato lehona të paraburgosura apo të dënuara ndihmohen dhe trajtohen në qendra të specializuara të obstetri-gjinekologjisë jashtë Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale, gjatë periudhës së shtatzënisë, gjatë dhe pas lindjes:
    • ndihma mjekësore për fëmijët e nënave të paraburgosura dhe të dënuara jepet nga specialistë të pediatrisë;
    • kur një fëmijë lind në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, ky fakt nuk pasqyrohet në certifikatën e lindjes së tij.

raportin e vitit 2018 të KPT për gratë në burg, gjejmë standartet vijuese në formë rekomandimesh për vajzat shtatzëna dhe nënat e mitura:[i]

  • ato duhet të vendosen alternativa të ndalimit;
  • duhet bërë çdo përpjekje për të përmbushur nevojat specifike dietike të tyre në burg dhe tu ofrohet një dietë me proteina të larta, e pasur me fruta dhe perime të freskëta. Nënave që ushqejnë me gji duhet t’u sigurohet ushqim shtesë;
  • e drejta për mëmësi nuk duhet të cenohet më shumë sesa kërkohet nga konsideratat e sigurisë dhe siguria e fëmijës:
    • kontakti midis nënës dhe fëmijës është në interesin e të dyve, mund të ndihmojë në rehabilitimin e të burgosurës dhe zhvillimin e aftësisë së saj për të marrë përgjegjësi për veten dhe fëmijën e saj. Prandaj, nënat në burg duhet të vendosen së bashku me foshnjat e tyre pas lindjes dhe të inkurajohen të ushqejnë me gji (përveç nëse ka arsye të vlefshme mjekësore për të kundërtën);
    • mund të konsiderohet si çnjerëzore dhe degraduese që një fëmijë të hiqet menjëherë nga nëna pas lindjes. Një nënë dhe fëmijë duhet të lejohen të qëndrojnë së bashku për të paktën një periudhë të caktuar kohe;
  • për sa kohë që fëmija mbetet në burg, nëna duhet të jetë në gjendje të kalojë një kohë të përshtatshme çdo ditë me fëmijën e saj:
    • ato duhet të akomodohen në një mjedis të përshtatshëm për sa i përket hapësirës, ​​orendive dhe aksesit në ambientet e gatimit dhe larjes. Ngrohja/ftohja e përshtatshme dhe qasja e mirë në ajër të pastër dhe dritë natyrore janë gjithashtu shumë të rëndësishme. Nevojat specifike sanitare dhe higjienike të nënave duhet të plotësohen në mënyrë adekuate, duke përfshirë qasjen në ambiente të mira sanitare dhe sigurimin e produkteve sanitare dhe higjienike (si pelena, sapun, shampo, pluhur larës dhe veshje,) sipas nevojës, si dhe ushqim i përshtatshëm për foshnjat;
    • duhet të sigurohet një çerdhe ose kopshti, së bashku me mbështetjen e stafit të specializuar në kujdesin pas lindjes dhe infermierinë pediatrike. Qasja në çerdhe ose kopshte mund t’u mundësojë grave të burgosura të marrin pjesë në punë dhe aktivitete të tjera brenda burgut në një masë më të madhe sesa mund të ishte ndryshe e mundur;
  • një nënë në burg duhet të lejohet të marrë pjesë në vizitat nga familja së bashku me foshnjën e saj shoqëruese. Ndalimi i vizitave të tilla është i papërshtatshëm dhe i pajustifikuar. Kjo do të pengonte marrëdhënien e fëmijës me babanë ose anëtarët e tjerë të familjes dhe nuk do të lehtësonte kalimin përfundimtar të fëmijës nga burgu.

Rregullat Evropiane të Burgjeve[i]  parashikojnë se të burgosurat duhet të lejohen të lindin jashtë burgut, por kur një fëmijë lind në burg autoritetet duhet të sigurojnë të gjithë mbështetjen dhe lehtësitë e nevojshme.

Gjithashtu, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në trajtimin e një çështje që kishte të bënte me një aplikante të vendosur në burgim në muajin e pestë të shtatzënisë dhe që më pas lindi foshnjën e saj, gjeti shkelje të Nenit 3 të Konventës[ii] në lidhje me sjelljen e autoriteteve lidhur me: [iii]

  • prangat e nënës në spitalin e lindjes,
  • kushte joadekuate të burgimit dhe
  • mungesa e një kujdesi të duhur mjekësor për foshnjën.

Sa i përket kushteve materiale të burgimit, në veçanti, Gjykata vuri në dukje se efekti kumulativ i kequshqyerjes së nënës, rregullimet e papërshtatshme sanitare dhe higjienike për të dhe djalin e saj të sapolindur, si dhe shëtitjet e pamjaftueshme në natyrë, ishin të një intensiteti të tillë sa për të shkaktuar te nëna vuajtje fizike dhe ankth mendor që i nënshtrohen trajtimit çnjerëzor dhe degradues të nënës dhe fëmijës. Në lidhje me kujdesin mjekësor për foshnjën, Gjykata theksoi që autoritetet ishin nën detyrimin të siguronin mbikëqyrje dhe kujdes adekuat mjekësor për aplikantin e dytë si një fëmijë i porsalindur që qëndronte me nënën e tij në një qendër paraburgimi.[iv]

Qëndrime të tjera të GJEDNJ me jurisprudencën e saj për këto çështje po i paraqesim të përmbledhura në vijim:[v]

  • Çështja nëse foshnjat dhe fëmijët e vegjël mund të lihen të qëndrojnë në burg me nënat e tyre, është veçanërisht problematike: në lidhje me këtë, Gjykata njeh se nga njëra anë burgjet, pa dyshim, nuk sigurojnë një mjedis të përshtatshëm për foshnjat dhe fëmijët e vegjël, ndërsa nga ana tjetër është shumë e padëshirueshme ndarja me forcë e nënave dhe foshnjave.
  • Vendimet për të lejuar fëmijët të qëndrojnë me nënat e tyre në burg duhet të bazohen në interesat më të mirë të fëmijëve.
  • Një i porsalindur i shëndetshëm duhet të rrijë me nënën e tij; kjo gjë u imponon autoriteteve një detyrim për të krijuar kushte të përshtatshme për ta zbatuar në praktikë këtë kërkesë.

Referenca

[1] Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit Çnjerëzor ose Degradues ose Ndëshkimit (KPT) i krijuar në kuadër të Konventës Evropiane për Parandalimin e Torturës dhe Dënimeve ose Trajtimeve Çnjerëzore ose Poshtëruese [RSH ka aderuar në  vitin 1996 në këtë Konventë me ligjin nr. 8135, datë 31.7.1996, përmbajtjen e të cilit mund ta gjeni në linkun vijues: https://rm.coe.int/16806dbac6] ka hartuar raportin “Gratë në burg” [titulli origjinal “Ëomen in prison”, që gjendet në linkun https://rm.coe.int/168077ff14]. Përmes këtij raporti KPT ka paraqitur disa standarte për çështje kyçe të trajtimit të grave në burg. Disa nga gjetjet po i listojmë në mënyrë të përmbledhur: (a) gratë zakonisht përbëjnë një pakicë shumë të vogël të popullsisë së përgjithshme të burgjeve, megjithëse është në rritje në disa vende. Ato karakterizohen nga nevoja të veçanta dhe dobësi që ndryshojnë nga ato të burrave. Në kombinim me këto ndryshime, fakti që gratë janë shumë më pak në numër paraqet një larmi sfidash për administratat e burgjeve, shpesh duke rezultuar në trajtim më pak të favorshëm në krahasim me burrat e burgosur. (b) Në kushtet e burgimit të të dënuarve dhe të paraburgosurave të gjinisë femërore është e rëndësishme që të merren parasysh një sërë faktorësh, veçanërisht çdo formë e dhunës fizike, seksuale ose psikologjike, përfshirë dhunën në familje që ato mund të kenë vuajtur para burgimit. (c) Duhet të merret në konsideratë gjithashtu, nevoja për kujdes shëndetësor mendor, varësia nga droga ose alkooli, nevoja specifike për kujdesin shëndetësor (për shembull, shëndeti riprodhuese), përgjegjësitë e kujdesit për fëmijët e tyre dhe/ose familjet e tyre, dhe mundësisë të viktimizimit dhe braktisjes pas lëshimit nga familjet e tyre.

[1] Për më tepër informacion shih: Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve, neni 68, link:

http://www.dpbsh.gov.al/newweb/?fq=brenda&m=shfaqart&gj=gj1&aid=516.

[1] Ligji Nr. 81/2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”, neni 87(6), link:

https://www.parlament.al/Files/ProjektLigje/20200702104324ligj%20nr.%2081,%20dt%2025.6.2020.pdf.

[1] Për më tepër informacion shih: Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve, neni 71, link:

http://www.dpbsh.gov.al/newweb/?fq=brenda&m=shfaqart&gj=gj1&aid=516.

[1] RSH ka aderuar në  vitin 1996 në këtë Konventë me ligjin nr. 8135, datë 31.7.1996, përmbajtjen e të cilit mund ta gjeni në linkun vijues: https://rm.coe.int/16806dbac6.

[1] European Committee for the Prevention of Torture and Inhuman or Degrading Treatment or Punishment – Factsheet, Women in Prison, January 2018, fq. 3; link:

https://rm.coe.int/168077ff14.

[1] Bëhet fjalë për Ligjin Nr. 81/2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”. Tekstin e plotë mund ta gjeni në linkun vijues:

https://www.parlament.al/Files/ProjektLigje/20200702104324ligj%20nr.%2081,%20dt%2025.6.2020.pdf.

[1] Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve mund të aksesohet në faqen e internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në linkun vijues:

http://www.dpbsh.gov.al/newweb/?fq=brenda&m=shfaqart&gj=gj1&aid=516.

[1] Për më tepër shih: Ligji Nr. 81/2020, neni 35.

[1] Për më tepër informacion shih: Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve, neni 72.

[1] Bëhet fjalë për Rekomandimin Rec (2006) 2 të Këshillit të Ministrave për Vendet Anëtare mbi Rregullat Evropiane të Burgjeve. Në gjuhën shqipe mund ta gjeni në linkun vijues: https://Search.Coe.Int/Cm/Pages/Result_Details.Aspx?Objectid=09000016805d8d25.

[1] Bëhet fjalë për: European Committee for the Prevention of Torture and Inhuman or Degrading Treatment or Punishment – Factsheet, Women in Prison, January 2018; link: https://rm.coe.int/168077ff14.

 

[1] Po aty, fq. 3: Delegacionet vizituese të KPT-së shpesh e shohin se të burgosurave femra u ofrohet aktivitet i konsideruar “i përshtatshëm” për to (të tilla si qepja ose punimet artizanale) dhe përjashtohen nga trajnimi profesional i rezervuar për burrat.

[1] Për më tepër, shih: European Committee for the Prevention of Torture and Inhuman or Degrading Treatment or Punishment – Factsheet, Women in Prison, January 2018, fq. 8; link: https://rm.coe.int/168077ff14.

[1] Bëhet fjalë për Ligjin Nr. 81/2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”. Tekstin e plotë mund ta gjeni në linkun vijues:

https://www.parlament.al/Files/ProjektLigje/20200702104324ligj%20nr.%2081,%20dt%2025.6.2020.pdf.

[1] Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve mund të aksesohet në faqen e internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në linkun vijues:

http://www.dpbsh.gov.al/newweb/?fq=brenda&m=shfaqart&gj=gj1&aid=516.

[1] European Committee for the Prevention of Torture and Inhuman or Degrading Treatment or Punishment – Factsheet, Women in Prison, January 2018, fq. 8; link:

https://rm.coe.int/168077ff14.

[1] Për më tepër shih: Ligji Nr. 81/2020, neni 72; Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve, neni 73.

[1] Për më tepër informacion shih: Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve, neni 73.

[1] Bëhet fjalë për Rekomandimin Rec (2006) 2 të Këshillit të Ministrave për Vendet Anëtare mbi Rregullat Evropiane të Burgjeve. Në gjuhën shqipe mund ta gjeni në linkun vijues: https://Search.Coe.Int/Cm/Pages/Result_Details.Aspx?Objectid=09000016805d8d25.

[1] European Committee for the Prevention of Torture and Inhuman or Degrading Treatment or Punishment – Factsheet, Women in Prison, January 2018, fq. 4; link:

https://rm.coe.int/168077ff14.

[1] Bëhet fjalë për Ligjin Nr. 81/2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”. Tekstin e plotë mund ta gjeni në linkun vijues:

https://www.parlament.al/Files/ProjektLigje/20200702104324ligj%20nr.%2081,%20dt%2025.6.2020.pdf.

[1] Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve mund të aksesohet në faqen e internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në linkun vijues:

http://www.dpbsh.gov.al/newweb/?fq=brenda&m=shfaqart&gj=gj1&aid=516.

[1] Për më tepër shih: Ligji Nr. 81/2020, neni 23; Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve, nenet 70 dhe 124.

[1] European Committee for the Prevention of Torture and Inhuman or Degrading Treatment or Punishment – Factsheet, Women in Prison, January 2018, fq. 4-6; link:

https://rm.coe.int/168077ff14.

[1] Bëhet fjalë për Rekomandimin Rec (2006) 2 të Këshillit të Ministrave për Vendet Anëtare mbi Rregullat Evropiane të Burgjeve. Në gjuhën shqipe mund ta gjeni në linkun vijues: https://Search.Coe.Int/Cm/Pages/Result_Details.Aspx?Objectid=09000016805d8d25.

[1] Neni 3 i KEDNJ parashikon se “Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës ose dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose degraduese”.

https://www.echr.coe.int/Documents/Guide_Prisoners_rights_ENG.pdf.

[1] Po aty.

[1] Po aty, fq. 51-54.

Kjo platformë është përgaditur nga Qendra ALTRI në kuadër të projektit “Nxitja e standarteve Europiane në mbrojtjen e të drejtave të njeriut për komunitet të qëndrueshme” i cili financohet nga Bashkimi Europian (BE) dhe zbatohet nga Shërbimi Ligjor Falas Tiranë (TLAS) në partneritet me Fondacionin Qendra Evropiane në Shqipëri.