Kushtet e Burgimit te paraburgosurve dhe te burgosurve

Kushtet e burgimit të të paraburgosurve dhe të dënuarve: ndalimi/arrestimi dhe vendi i qëndrimit/fjetjes

Të paraburgosurit dhe të burgosurit, si rregull, vazhdojnë të gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë themelore, me përjashtim të atyre që u janë marrë në mënyrë të ligjshme nga vendimet e dënimit ose vendosjes në paraburgim. Gjithashtu, për kufizimin e të drejtave të tyre merren në konsideratë edhe kritere si mosha, gjinia, gjendja gjyqsore (i pa/dënuar), gjendja fizike dhe shëndetësore etj. Këto kufizime duhen ushtruar në masën minimale të nevojshme dhe në përpjestim me objektivat legjitime për të cilat ato janë vendosur.

Ky punim paraqet në mënyrë të përmbledhur standartet e legjislacionit tonë dhe atij evropian për kushtet e burgimit të të paraburgosurve dhe të dënuarve/burgosurve, si rregulla që lidhen me:

  1. ndalimin/arrestimin, pranimin dhe rregjistrimin në institucion;
  2. vendosjen dhe strehimin;
  3. sipërfaqen e banimit, veshmbathjen dhe vendin e fjetjes;

Standartet për ndalimin/arrestimin, pranimin dhe rregjistrimin në institucion

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e parashikon të drejtën për lirinë dhe sigurinë e personit si të drejtë vetjake dhe si një nga liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Në parashikimet tona kushtetuese garantohet respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të personave të ndaluar dhe arrestuar, të cilat paraqiten në vijim: [I]

  • Liria nuk mund t’i hiqet askujt, përveç rasteve të parashikuara shprehimisht në ligj, as vetëm për shkak se personi nuk është në gjendje të përmbushë një detyrim kontraktor.
  • Rastet përjashtimore në të cilat liria e personit mund të kufizohet: (1) kur është dënuar me burgim nga gjykata kompetente; (2) për moszbatim të urdhrave të ligjshëm të gjykatës ose për moszbatim të ndonjë detyrimi të caktuar me ligj; (3) kur ka dyshime të arsyeshme se ka kryer një vepër penale ose për të parandaluar kryerjen prej tij të veprës penale ose largimin e tij pas kryerjes së saj; (4) për mbikëqyrjen e të miturit për qëllime edukimi ose për shoqërimin e tij në organin kompetent; (5) kur personi është përhapës i një sëmundjeje ngjitëse, i paaftë mendërisht dhe i rrezikshëm për shoqërinë; (6) për hyrje të paligjshme në kufirin shtetëror, si dhe në rastet e dëbimit ose të ekstradimit.
  • Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës, dënimit apo trajtimit mizor, çnjerëzor apo poshtërues. Çdo person i ndaluar/arrestuar, i paraburgosur apo i burgosur ka të drejtën e trajtimit njerëzor dhe të respektimit të dinjitetit të tij.
  • Çdo person i ndaluar ose i arrestuar ka të drejtë të njoftohet menjëherë në gjuhën që ai kupton për:
    • shkaqet e ndalimit/arrestimit dhe për akuzën që i bëhet;
    • faktin se nuk ka asnjë detyrim të bëjë ndonjë deklaratë (kjo nënkupton të drejtën për të mos folur ose të drejtën për të heshtur dhe privilegjin e mos-vet-inkriminimit);
    • të drejtën për të komunikuar menjëherë me avokatin, si dhe t’i jepet mundësia për të realizuar të drejtat e tij.
  • Çdo person i ndaluar ose i arrestuar për kryerjen e një vepre penale ose për të parandaluar kryerjen prej tij të veprës penale duhet të dërgohet brenda 48 orëve para gjyqtarit, i cili bën vlerësimin e masës së ndalimit/arrestimit dhe jo më vonë se 48 orë nga çasti i marrjes së dokumenteve për shqyrtim vendos për:
    • paraburgimin ose
    • lirimin e personit të ndaluar/arrestuar.
  • I paraburgosuri ka të drejtë të ankohet kundër vendimit të gjyqtarit, si dhe të gjykohet brenda një afati të arsyeshëm ose të procedohet i lirë kundrejt pagesës së një garancie pasurore.
  • Çdo person, të cilit i është hequr liria në rrugë jashtëgjyqësore, mund t’i drejtohet në çdo kohë gjyqtarit, i cili vendos brenda 48 orëve për ligjshmërinë e kësaj mase.
  • Askush nuk mund të akuzohet për një vepër penale, e cila nuk konsiderohej e tillë me ligj në kohën e kryerjes së saj. Përjashtim nga ky rregul bëjnë vetëm veprat penale të cilat, në kohën e kryerjes së tyre, përbënin krime lufte ose krime kundër njerëzimit në kohën e kryerjes së tyre.

Kufizimet e të drejtave kushtetuese sipas parashikimeve explicite të nenit 17 të Kushtetutës tonë nuk duhet të cënojnë thelbin e lirive dhe të drejtave dhe të tejkalojnë parashikimet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ). Kjo do të thotë se, në këtë kontekst (do të thotë përsa i përket kufizimeve të të drejtave dhe lirive themelore, përfshirë edhe kufizimet për të drejtën dhe lirinë e personit), KEDNJ ka fuqi të barabartë me kushtetutën. [II]

Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut (KEDNJ) [III] është ratifikuar nga RSH në Korrik 1996 dhe ka hyrë në fuqi menjëherë me botimin në Fletoren Zyrtare.[IV]

KEDNJ parashikon disa standarte që lidhen me ndalimin ose arrestimin, disa prej të cilave ne i kemi të inkorporuara në dispozitat kushtetuese të cilat i cituam më sipër. Megjithatë në këtë pjesë të punimit po veçojmë disa prej tyre të përmbledhura në vijim: [V]

  • Askush nuk duhet të ndalohet ose mbahet në paraburgim apo burgim pa një urdhër ndalimi të vlefshëm dhe çdo privim i lirisë duhet të jetë në përputhje me qëllimin e mbrojtjes së individit nga arbitrariteti dhe duhet të rregjistrohet në mënyrë të rregullt.
    • Sipas jurisprudences së GJEDNJ, çdo ndalim i pabazuar përbën shkelje dhe mohim të garancive që parashikon neni 5 i kësaj Konvente i cili përcakton kriteret kryesore të ndalimit/arrestimit. [VI]
  • Urdhëri i ndalimit duhet të jepet nga një gjykatë kompetente, ku si element bazë për të urdhëruar ndalimin duhet të jetë dyshimi i arsyeshëm i cili nënkupton të paktën disa prova në lidhje me kryerjen e një vepre penale që krijojnë bazën e dyshimit.
  • Në momentin e arrestimit apo ndalimit të personit nuk mund të cënohen disa nga të drejtat bazë, si psh: e drejta e jetës, trajtimi në mënyrë njerëzore dhe jo torturuese, përçmuese apo degraduese, mosdiskriminimi, si të drejta bazë për të cilat nuk lejohet as derogimi. [VII]

Kodi i Procedurës Penale [VIII], njësoj si Kushtetuta jonë, parashikon të drejtat vijuese për personin e ndaluar ose të arrestuar: [IX]

  • të drejtën për t’u njoftuar në gjuhën që kupton apo nëpërmjet gjuhës së shenjave për shkaqet e kësaj mase dhe për akuzat që i bëhen;
  • të drejtën për t’u njoftuar se nuk ka asnjë detyrim të bëjë ndonjë deklaratë;
  • të drejtën për të komunikuar menjëherë me avokatin,
  • si dhe duhet t’i jepet mundësia për realizimin e të drejtave të tij.

Të drejta të tjera për personin e arrestuar/ndaluar të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale janë: [X]

  • të takojë vetëm për vetëm mbrojtësin e tij përpara marrjes në pyetje për herë të parë;
  • të njihet me aktet, provat e nevojshme dhe arsyet e arrestimit ose ndalimit të tij;
  • të kërkojë që një anëtar i familjes ose një person tjetër i afërt të njoftohet menjëherë për arrestimin e tij.
    • Në rast se i arrestuari ose i ndaluari është shtetas i huaj, ai ka të drejtë të kërkojë të njoftohet përfaqësia konsullore ose diplomatike e vendit të tij dhe në rast se është person pa shtetësi apo refugjat, ai ka të drejtë të kërkojë të njoftohet një organizatë ndërkombëtare;
  • të marrë menjëherë përkujdesjen e nevojshme mjekësore;
  • të njoftohet menjëherë nga organi procedues (prokuroria ose policia) për të gjitha të drejtat e tij si person i ndaluar/arrestuar.

 

Ligji “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve” [XI] parashikon të drejtat dhe standartet vijuese: [XII]

  • Në çdo institucion krijohet komisioni i pritjes për të pranuar të burgosurit e sapoardhur, i cili informon të burgosurin në një gjuhë të kuptueshme për:
  • të drejtat dhe detyrimet e tij;
  • të drejtat e tij për këshillim e ndihmë juridike të garantuar nga shteti;
  • rregullat e procedurat e paraqitjes së kërkesave dhe ankesave;
  • rregulloren e institucionit.

Gjithë informacionin e mësipërm, i burgosuri ka të drejtë që ta ketë edhe në formë të shkruar. Të burgosurve të huaj, personave pa shtetësi ose që u përkasin pakicave kombëtare, ky informacion u sigurohet në formë verbale dhe të shkruar në gjuhën që e kuptojnë apo në gjuhë shenjash për personat me aftësi të kufizuar në të folur apo dëgjuar.

  • I burgosuri, pas pranimit në institucion, i nënshtrohet një vizite ekzaminuese dhe interviste mjekësore nga ana e mjekut të institucionit për njohjen e gjendjes shëndetësore fizike dhe psikologjike, me qëllim parandalimin e përhapjes së sëmundjeve ngjitëse në institucion, vetëvrasjeve, si dhe regjistrimin e shenjave të dëmtimeve fizike, që janë shkaktuar jashtë institucionit në kohën e kontrollit.

Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve [XIII] parashikon shprehimisht kushtet e pranimit të të paraburgosurve dhe të dënuarve në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.

Përsa i përket të paraburgosurve, ata mbahen në seksione të veçuara nga seksioni i të dënuarve/burgosurve; pranimi i tyre në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale bëhet mbi bazën e dokumentacionit, i cili duhet të përmbajë detyrimisht disa dokumente të përcaktuara shprehimisht në Rregullore. [XIV]

Pranimi i të dënuarve në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale bëhet me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve brenda 3 ditëve nga lëshimi i urdhrit të ekzekutivimit për vendimin e gjykatës. I dënuari duhet të jetë i shoqëruar me dosjen e tij personale. [XV]

Në Rregulloren e Përgjithshme të Burgjeve ka parashikime të tjera të detajuara për: [XVI]

  • regjistrimin e të paraburgosurit/të dënuarit (për shembull, sapo paraqiten verifikohet identiteti i tij dhe saktësia e dokumentacionit shoqërues në momentin e pranimit, hartohet procesverbali për dokumentet shoqëruese dhe për sendet personale, procesverbal i cili ka të shënuar edhe datën dhe orën e pranimit, etj);

  • komisionin e pritjes në institucion, i cili, ndër të tjera:
    • informon të paraburgosurin dhe të dënuarin në një gjuhë të kuptueshme për rregulloren e institucionit, të drejtat dhe detyrimet e tij, të drejtat e tij për këshillim dhe ndihmë ligjore, rregullat dhe procedurat për paraqitjen e kërkesave dhe ankesave;

  • merr kontaktin e parë me të burgosurin dhe njihet me problemet, personalitetin e të burgosurit dhe nëse i burgosuri përbën rrezikshmëri për sigurinë e të burgosurve të tjerë ose të personelit, i bën të njohur atij rregullat e brendshme të institucionit, të drejtat dhe detyrat, duke i vënë në dispozicion materialet përkatëse, si dhe e informon për mënyrën e jetesës gjatë kohës së qëndrimit në institucion.
  • njohjen e të paraburgosurit/të dënuarit me të drejtat dhe detyrimet e tij gjatë qëndrimit në institucion në mënyrën më të përshtatshme për ata;
  • veprimet paraprake gjatë pranimit (për shembull, pas momentit të pranimit në institucion, të sapoardhurit menjëherë i nënshtrohen një vizite ekzaminuese dhe interviste mjekësore nga ana e mjekut të institucionit për njohjen dhe parandalimin e përhapjes së sëmundjeve ngjitëse në institucion, vetëvrasjeve, regjistrimin e plagëve dhe dëmtimeve në kohën e duhur, duke respektuar parimin e konfidencialitetit; personeli i institucionit respekton të drejtën e të paraburgosurit/të dënuarit për të mos informuar familjarët apo persona të tjerë të afërm për qëndrimin e tij aty, përveçse kur ekzistojnë arsye ligjore, etj.).

Legjislacioni evropian dhe ndërkombëtar paraqet edhe standarte të tjera lidhur me çështjen tonë në shqyrtim, por duke pasur parasysh karakterin jo-detyrues por fakultativ për shtetet palë të organizatave/konventave përkatëse, ne i kemi renditur në pjesën e fundit për secilën kategori të përzgjedhur. Standartet që listohen në vijim lidhur me ndalimin/arrestimin, pranimin dhe rregjistrimin në institucion të të (para)burgosurve janë dispozita të cilat shtetet (përfshirë shtetin tonë) angazhohen që t’i përfshijnë në legjislacionin e brendshëm.

Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut [XVII] parashikon shprehimisht se: [XVIII]

  • askush nuk duhet të arrestohet, të burgoset ose të dëbohet arbitrarisht;
  • askush nuk duhet të dënohet për veprime ose lëshime të cilat, nё kohёn kur janё kryer ato, nuk përbënin një vepër penale sipas ligjeve kombëtare a ndërkombëtare. Gjithashtu, nuk duhet të jepet njё dënim më i rëndë se ai zbatohej në kohën kur është kryer vepra penale.

Standarte të tilla të ngjashme i gjejmë edhe në konventa të tjera të cilat janë ratifikuar nga RSH, nga të cilat përmendim:

  • Konventa kundër torturës dhe vuajtjeve të tjera ose trajtimit mizor jonjerëzor a degradues; [XIX]
  • Konventa evropiane për parandalimin e torturës dhe dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese. [XX]

Në nivel evropian paraqet rëndësi të veçantë të trajtojmë këtu disa nga standartet e vendosura nga Rregullat Evropiane të Burgjeve [XXI], të cilat përmbajnë një sërë rekomandimesh për shtetet anëtare të Këshillit të Evropës; këto janë miratuar nga Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës (KiE) më 11 Janar 2006.

    Rregullat evropiane të burgjeve zbatohen ndaj[XXII]

    • personave që janë në paraburgim, në pritje të vendimit të organit gjyqësor ose
    • atyre që u është mohuar liria pas dënimit;
    • personave që mund të mbahen në burg për një arsye tjetër;
    • personave që mbahen në paraburgim me vendim të një autoriteti gjyqësor, ose u është hequr liria pas dënimit dhe që nuk mund të mbahen në ndonjë vend tjetër për ndonjë arsye.

    Në vijim listohen shkurtimisht disa nga standartet e parashikuara në Rregullat Evropiane të Burgjeve: [XXIII]

    • në institucion nuk duhet të pranohet asnjë person pa urdhrin e vlefshëm të burgimit sipas legjislacionit kombëtar dhe të dhënat më themelore të burgosjes dhe të pranimit duhet të shënohen menjëherë;
    • gjatë pranimit, dhe sa herë që është e nevojshme më pas, të gjithë të burgosurit do të informohen me shkrim dhe me gojë në një gjuhë që ata e kuptojnë për rregulloret që rregullojnë disiplinën e burgut dhe për të drejtat dhe detyrat e tyre në burg;
    • të burgosurit lejohen të mbajnë një version të shkruar të informacionit që u është dhënë;

    Standartet për vendosjen dhe strehimin

    Ligji “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve” [XXIV] parashikon dispozita mbi kushtet të cilat duhet t’u sigurohen të burgosurve dhe paraburgosurve në lidhje me akomodimin, ushqyerjen, ajrosjen, veshmbathjen apo kushtet higjeno-sanitare.  Disa nga standartet e përcaktuar në këtë ligj për vendosjen dhe strehimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve listohen në vijim:[XXV]

    • godinat e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale projektohen, ndërtohen, si dhe rikonstruktohen në mënyrë që të plotësojnë standardet për garantimin e sigurisë, kushteve të përshtatshme higjieno-sanitare, të mundësojnë zhvillimin e veprimtarive të përbashkëta të të burgosurve, zbatimin e planit individual të trajtimit të tyre dhe punësimin;
    • mjediset që u ofrohen të burgosurve dhe në veçanti mjediset e fjetjes duhet të respektojnë dinjitetin njerëzor dhe, sa më shumë të jetë e mundur, privatësinë, si dhe të plotësojnë kërkesat shëndetësore dhe higjienike, duke u kushtuar rëndësinë e duhur kushteve të klimës, hapësirës së nevojshme, përmbajtjes kubike të ajrit, ndriçimit, ngrohjes dhe ajrimit;
    • kur nuk është e mundur të sigurohet fjetja në dhoma individuale, caktimi i të burgosurve në të njëjtën dhomë duhet të bëhet në mënyrë të tillë që të shmangen konfliktet dhe ndikimet negative të ndërsjella, duke përdorur ndarjen në grupmosha, llojit të veprave penale, veçorive psikike e intelektuale, etj.[XXVI]

    Rregullat Evropiane të Burgjeve[XXIX] parashikojnë një sërë të drejtash për të paraburgosurit dhe të dënuarit në lidhje me vendosjen dhe strehimin, nga të cilat veçojmë:[XXX]

    • të burgosurit duhet të caktohen, për aq sa është e mundur, në burgje afër shtëpive të tyre ose vendeve të rehabilitimit shoqëror dhe të merret mendimi i tyre për caktimin e tyre fillestar dhe çdo transferim të mëvonshëm nga një burg në tjetrin;
    • të burgosurit normalisht do të vendosen gjatë natës nëpër qeli të veçanta, përveç rasteve kur ata vetë preferojnë të ndajnë qelinë me njëri-tjetrin;
    • strehimi mund të jetë i përbashkët vetëm nëse:
      • mjedisi është i përshtatshëm për këtë qëllim,
      • si dhe nëse në këtë mjedis qëndrojnë të burgosur që janë të përshtatshëm me njëri tjetrin;
    • strehimi që u sigurohet të burgosurve, dhe në veçanti kushtet e fjetjes, duhet të plotësojnë kërkesat shëndetësore dhe të higjienës, duke i kushtuar kujdesin e duhur kushteve klimatike dhe veçanërisht kushteve të ajrimit, një hapësirë të arsyeshme, ndriçimit, ngrohjes dhe ventilimit.

    Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) mbwshtet parimin “një i bugosur, një krevat” dhe në jurisprudencën e saj, gjykata ka konstatuar shkelje të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut (konkretisht neni 3- ndalimi i torturës) në rastet kur të burgosurit nuk kishin një vend individual për të fjetur dhe duhet të flinin me turne/rradhë.[viii]

    Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve [XXVII] parashikon se:[XXVIII]

    • i paraburgosuri apo i dënuari qëndron në dhomën e pranimit jo më shumë se 10 ditë dhe më pas, vendoset në mjedisin e banimit;
    • në vendosjen e të paraburgosurve/dënuarve nëpër dhoma mbahen parasysh kritere që lidhen me gjendjen e tyre gjyqësore, faktin nëse janë ose jo përsëritës, llojin e veprës penale, masën e dënimit, moshën, gjendjen shëndetësore dhe nevojat mjekësore, arsimin, veçoritë intelektuale dhe psikike, kërkesat e veçanta për trajtimin e tyre, problemet konfliktuale, fakti nëse janë nën hetim për të njëjtën çështje penale me persona të tjerë të ndaluar me urdhër të prokurorit apo të gjykatës.

    Standartet për sipërfaqen e banimit, veshmbathjen dhe vendin e fjetjes

    Ligji “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve” [XXX] dhe Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve [XXXI] përcaktojnë standartet vijuese për sipërfaqen e banimit, veshmbathjen dhe vendin e fjetjes:[XXXII]

    • Në vendosjen e të burgosurve mbahen parasysh kushtet dhe mundësitë konkrete të çdo institucioni të ekzekutimit të vendimeve penale, si dhe kushtet e mundësitë e të burgosurve, por në çdo rast duke iu siguruar:
      • kubatura jo më pak se 9 m3;
      • sipërfaqja e banimit jo më pak se 4 m2 për çdo të burgosur;
      • dritare që mundësojnë ajrim të mjaftueshëm dhe ndriçim natyral normal për të lexuar e punuar;
    • drita artificiale duhet të plotësojë standardet e njohura teknike. Të paraburgosurve apo të dënuarve u sigurohet energji elektrike e nevojshme për ndriçim dhe nevoja të higjienës personale;
    • çdo të burgosuri i sigurohet veshje dhe pajisje të tjera individuale në sasi të mjaftueshme për të siguruar plotësimin e kërkesave normale të jetesës dhe të përshtatshme me kushtet klimaterike.
      • të burgosurit mund të autorizohen të mbajnë veshje dhe sende të përdorimit personal ose objekte që kanë një vlerë të veçantë morale ose personale;
    • të burgosurve u sigurohet shtrat i veçantë, komplet i përshtatshmëm, shtresat, mbulesat për fjetje dhe veshje, në përputhje me kushtet klimaterike dhe nevojat e tyre shëndetësore.

    Komiteti Europian për Parandalimin e Torturës, Trajtimit apo Dënimit Çnjerzor dhe Degradues (në vijim KPT), i krijuar në kuadër të Konventës evropiane për parandalimin e torturës dhe dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese [XXXIII], ka përcaktuar disa standarte minimale për hapësirën personale të jetesës në institucionet e burgjeve të cilat janë: [XXXIV]

    • 6m² hapësirë jetese për një qeli me një të burgosur të vetëm (plus pajisje sanitare);
    • 4m² hapësirë jetese për çdo të burgosur në një qeli me shumë të burgosur (plus anekse plotësisht të ndara sanitare);
    • të paktën 2 metër mes mureve të qelisë;
    • të paktën 2.5 metër mes dyshemesë dhe tavanit të qelisë.

    KPT-ja pohon se qelitë teke me më pak se 6m² (duke përjashtuar aneksin sanitar) duhen ose të tërhiqen nga shërbimi ose të zgjerohen për të siguruar hapësirë të mjaftueshme të jetesës për një person.[XXXV] Sipas KPT-së në shumë vende të Këshillit të Evropës, të burgosurve u jepen qeli teke, shpesh me përmasa mes 7,5 m² dhe 9,5 m2.

    Që Komiteti të thotë se kushtet e ndalimit mund të konsiderohen si trajtim çnjerëzor dhe poshtërues, qelitë ose duhet të jenë jashtëzakonisht të mbipopulluara, ose, si në shumicën e rasteve, të kombinojnë një numër elementesh negative, si numri i pamjaftueshëm i shtretërve për të gjithë të burgosurit, higjiena, infektimi me parazitë, ventilimi i pamjaftueshëm, ngrohja ose ndriçimi, mungesa e higjienës në qeli dhe si pasojë përdorimi i kovave ose shisheve për nevojat fiziologjike. [XXXVI] [XXXVII]

    Rregullat Evropiane të Burgjeve[XXXVIII] gjejmë disa standarte që lidhen me veshmbathjen dhe vendin e fjetjes të të paraburgosurve dhe të dënuarve:[XXXIX]

    • të burgosurit që nuk kanë veshje të përshtatshme të tyre, duhet të pajisen me veshje të përshtatshme për klimën, veshje të cilat nuk duhet të jenë degraduese ose poshtëruese;
    • të gjitha veshjet duhet të mirëmbahen në gjendje të mirë dhe të zëvendësohen kur është e nevojshme;
    • të burgosurve që marrin leje për të dalë jashtë burgut nuk duhet t’u kërkohet të veshin rroba që i identifikon ata si të burgosur.

    GJEDNJ, në jurisprudencën e saj, shprehet se nuk mund të përcaktohet një numër specifik mbi metrat katrore që duhet t’i mundësohet një të ndaluari në mënyrë që të mos përbëjë shkelje të nenit 3 (ndalimi i torturës) të KEDNJ.[XL] Gjykata merr në konsideratë edhe faktorë të tjerë, si:

    1. kohëzgjatja e ndalimit/burgimit,
    2. mundësitë për aktivitet në natyrë dhe
    • gjendja fizike dhe psikologjike e të ndaluarit,

    të cilat luajnë një rol të rëndësishëm për të përcaktuar nëse kushtet e burgimit janë në përputhje me nenin 3 (ndalimi i torturës) të Konventës.

    Sipas jurisprudencës së kësaj gjykate, standarti minimal i akomodimit të të ndaluarve duhet të jetë në një sipërfaqe prej 3-meter kator dhe çdo hapsirë personale e të ndaluarit që është më pak se 3 metër katrore, prezumon shkelje të Konventës (nenit 3) dhe barra e provës në këtë rast bie mbi institucionin përgjegjës.[XLI]

    Një prezumim i tillë për shkelje të Konventës mund të kundështohet vetëm nësë ekzistojnë njëkohësisht së bashku faktorët vijues:

    1. zvogëlimet në hapësirën minimale personale të kërkuar prej 3 m2 janë për një periudhe të shkurtër, të rastit dhe të vogla;
    2. zvogëlime të tilla shoqërohen me liri të mjaftueshme të lëvizjes dhe aktivitete të përshtatshme jashtë qelisë;

    • aplikanti është i kufizuar në atë që është, kur shikohet përgjithësisht, një mjedis i përshtatshëm paraburgimi dhe nuk ka aspekte të tjera rënduese të kushteve të ndalimit të tij ose të saj.

    Në këto kushte sipas GJEDNJ, do të gjendemi përpara shkeljes së nenit 3 të Konventës nëse faktori hapsirë shoqërohet gjithashtu me kushte fizike të tjera joproporcionale, veçanërisht:

    1. aksesi në ushtrimet në natyrë, ajri dhe drita natyrale, mundësimi i ventilimit,
    2. përshtatshmëria e temperaturës së dhomës,
    • mundësimi i përdorimit të tualetit në mënyrë private dhe
    1. aksesi në elementët bazë të higjenës.

    Lidhur me veshmbathjen dhe vendin e fjetjes, GJEDNJ, ndër të tjera, shprehet se:[XLII]

    • detyrimi i të burgosurit që të veshë rrobat e burgut gjatë vizitës së tij në klinika jashtë ambjenteve të burgimit, sipas gjykatës përbën një ndërhyrje në të drejtën për respektim të jetës private të parashikuar në nenin 8 të Konventës;
    • çdo i burgosur duhet të pajiset me një shtrat të veçantë dhe shtrat të veçantë dhe të përshtatshëm, i cili do të mbahet në rregull dhe do të ndryshohet mjaftueshëm shpesh për të siguruar pastërtinë e tij.

    Referenca

    [I] Shih nenet 25, 27, 28 dhe 29 të Kushtetutës së RSH (lIgj nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar) aksesuar në:

    https://qbz.gov.al/preview/635d44bd-96ee-4bc5-8d93-d928cf6f2abd.

    [II] Pwr mw tepwr shih: L. Omari, A. Anastasi, E drejta kushtetuese, SHB ABC, Tiranw 2010, fq. 122-124.

    [III] Tekstin nw gjuhwn shqipe tw KEDNJ mund ta gjeni nw linkun vijues:

    https://www.echr.coe.int/documents/convention_sqi.pdf.

    [IV] Ligji ratifikues Nr. 8137, datw 31.7.1996, botuar nw FZ. 20-1996. Mund ta gjeni nw linkun:

    http://www.pp.gov.al/web/ligji_ratifikues_i_kednj_790.pdf.

    [V] KEDNJ, neni 5.

    [VI] Shih: çështja El-Masri v. ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, aplikimi Nr. 39630/09, 13 Dhjetor 2012.  Mund ta gjeni në linkun:

    https://hudoc.echr.coe.int/eng#{“itemid”:[“001-115621”]}.

    [VII] KEDNJ, nenet 2, 3, 14, 15.

    [VIII] Kodi i Procedurës Penale (Ligj Nr. 7905, datë 21.3.1995 “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar), aksesuar në:

    https://qbz.gov.al/previeë/b4819f4d-c246-49b3-87a9-2e6c8512c975.

    [IX] Për më tepër shih: Kodi i Procedurave Penale, neni 34/a (1, a-e).

    [X] Për më tepër shih: Kodi i Procedurave Penale, neni 34/b.

    [XI] Bëhet fjalë për Ligjin Nr. 81/2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”. Tekstin e plotë mund ta gjeni në linkun vijues:

    https://www.parlament.al/Files/ProjektLigje/20200702104324ligj%20nr.%2081,%20dt%2025.6.2020.pdf.

    [XII] Ligji Nr. 81/2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”, neni 38.

    [XIII] Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve mund të aksesohet në faqen e internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në linkun vijues:

    http://www.dpbsh.gov.al/newweb/?fq=brenda&m=shfaqart&gj=gj1&aid=516.

    [XIV] Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve, neni 8: Dosja pwrmban dokumentacionin vijues: vendimin e gjykatës për caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”; procesverbalin e ndalimit ose të arrestimit në flagrancë; procesverbalin e kontrollit personal; formularin e identifikimit me dy foto dhe gjurmët e gishtërinjve; dokumentin e identifikimit; dokumentin e kontrollit mjekësor; çertifikatën personale; për të paraburgosurat femra, eko nga mjeku gjinekolog.

    [XV] Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve, neni 10: Dosja pwrmban dokumentacionin vijues: vendimin e formës së prerë të gjykatës që cakton dënimin me burgim; urdhrin e prokurorit për ekzekutimin e këtij vendimi; vendimin e arrestit; procesverbalin e ndalimit; procesverbalin e kontrollit personal; formularin e identifikimit me dy foto dhe gjurmët e gishtërinjve; kartelën personale të të dënuarit; kartelën e gjendjes shëndetësore; dosjen psiko-sociale (për transferimet nga një IEVP në një IEVP tjetër).

    [XVI] Për më tepër informacion, shih: Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve, nenet 11-14.

    [XVII] Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut u miratua në vitin 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB. Variantin në shqip mund ta gjeni në linkun vijues:

    https://www.ohchr.org/EN/UDHR/Documents/UDHR_Translations/aln.pdf.

    [XVIII] Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, nenet 9 dhe 11(2).

    [XIX] RSH ka aderuar në vitin 1993 në Konventën kundër torturës dhe vuajtjeve të tjera ose trajtimit mizor jonjerëzor a degradues me ligjin nr. 7727, datë 30.6.1993. Për më tepër shih linkun:

    http://www.pp.gov.al/web/ligjet_ratifikues_per_konventat_ke_72.pdf.

    [XX] RSH ka aderuar në  vitin 1996 në Konventën evropiane për parandalimin e torturës dhe dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese me ligjin nr. 8135, datë 31.7.1996. Për më tepër shih linkun vijues:

    https://rm.coe.int/16806dbac6.

    [XXI] Bëhet fjalë për Rekomandimin Rec (2006) 2 të Këshillit të Ministrave për Vendet Anëtare mbi Rregullat Evropiane të Burgjeve. Në gjuhën shqipe mund ta gjeni në linkun vijues: https://Search.Coe.Int/Cm/Pages/Result_Details.Aspx?Objectid=09000016805d8d25.

    [XXII] Rregullat Evropiane të Burgjeve [Rekomandimi Rec (2006) 2 i Këshillit të Ministrave të KiE], pikat 10.1 dhe 10.3.

    [XXIII] Për më tepër informacion shih: Rregullat Evropiane të Burgjeve, pikat 14-16 dhe 30.1-30.4.

    [XXIV] Bëhet fjalë për Ligjin Nr. 81/2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”. Tekstin e plotë mund ta gjeni në linkun vijues:

    https://www.parlament.al/Files/ProjektLigje/20200702104324ligj%20nr.%2081,%20dt%2025.6.2020.pdf.

    [XXV] Për më tepër shih: Ligji Nr. 81/2020, nenet 32-33.

    [XXVI] Lidhur me zbatimin e standarteve të mësipërme vlen të theksojmë këtu një raport zyrtar të publikuar nga Ambasada e SHBA në Shqipëri, sipas të cilit Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) dhe Qendra Shqiptare e Rehabilitimit nga Trauma dhe Tortura (ARCT) raportuan se kushtet në disa mjedise të caktuara paraburgimi ishin aq të këqija sa të përbënin trajtim çnjerëzor; kushtet mbeten nën standarde në mjediset policore të paraburgimit jashtë Tiranës dhe qendra të tjera urbane kryesore. Në raport theksohet gjithashtu se kushtet në burgje dhe qendra paraburgimi varionin thelbësisht në varësi të moshës dhe llojit të mjedisit; Zyra e Avokatit të Popullit, KSHH dhe ARCT identifikuan probleme si në strukturat e reja, ashtu dhe në ato të vjetra, të tilla si lagështira në qeli, kushte të këqia higjenike, mungesa e shtrojeve, dhe furnizimi i çrregullt me ujë dhe energji elektrike; ARCT raportoi edhe se disa mjedise kishin kushte të këqia në banja, pa ujë të ngrohtë dhe insekte. [marrë nga: Raporti i Departamentit të Shtetit 2019 “Raport për të Drejtat e Njeriut”, faqe 3, aksesuar në linkun:

    https://al.usembassy.gov/wp-content/uploads/sites/140/2019-Albanian-HRR.pdf.].

    [XXVII] Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve mund të aksesohet në faqen e internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në linkun vijues:

    http://www.dpbsh.gov.al/newweb/?fq=brenda&m=shfaqart&gj=gj1&aid=516.

    [XXVIII] Për më tepër informacion shih: Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve, nenet 27-29.

    [XXIX] Bëhet fjalë për Rekomandimin Rec (2006) 2 të Këshillit të Ministrave për Vendet Anëtare mbi Rregullat Evropiane të Burgjeve. Në gjuhën shqipe mund ta gjeni në linkun vijues: https://Search.Coe.Int/Cm/Pages/Result_Details.Aspx?Objectid=09000016805d8d25.

    [XXX] Për më tepër shih: Rregullat Evropiane të Burgjeve, pikat 17.1 deri 18.10.

    https://www.echr.coe.int/Documents/Guide_Prisoners_rights_ENG.pdf.

    [XXXI] Bëhet fjalë për Ligjin Nr. 81/2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”. Tekstin e plotë mund ta gjeni në linkun vijues:

    https://www.parlament.al/Files/ProjektLigje/20200702104324ligj%20nr.%2081,%20dt%2025.6.2020.pdf.

    [XXXII] Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve mund të aksesohet në faqen e internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në linkun vijues:

    http://www.dpbsh.gov.al/newweb/?fq=brenda&m=shfaqart&gj=gj1&aid=516.

    [XXXIII] Për më tepër shih: Ligji Nr. 81/2020, nenet 33-34; Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve, nenet 30-31.

    [XXXIV] RSH ka aderuar në  vitin 1996 në Konventën evropiane për parandalimin e torturës dhe dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese me ligjin nr. 8135, datë 31.7.1996. Për më tepër shih linkun vijues:

    https://rm.coe.int/16806dbac6.

    [XXXV] Shih “Hapësira e jetesës për çdo të burgosur në institucionet e burgjeve,Standardet e KPT-së”- Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës dhe të Trajtimit ose Dënimit Çnjerëzor dhe Poshtërues (KPT). Link: https://rm.coe.int/16807824b2 .

    [XXXVI] Po aty, pika 12.

    [XXXVII] Po aty, pika 22.

    [XXXVIII] Në një monitorim të realizuar në burgun e Fierit, KPT vërejti se pjesa më e madhe e popullsisë së të burgosurve ishin akomoduar në qeli të dyfishta banimi të cilat kishin matje rreth 12 m² (me përjashtim të aneksit sanitar brenda qelisë). Qelitë kishin qasje të mirë në dritën natyrore dhe ajrosjen, dhe përgjithësisht ishin të pastra dhe të ngrohura mirë. Ndërkohë, në burgun e Durrësit konstatohet një situatë ndryshe, ku katër persona akomodohen në një hapësirë prej rreth 12 m² (pa llogaritur zonën e tualetit).

    Në burgun Nr. 302, sipas KPT shumica e mangësive që ishin vërejtur në të kaluarën vazhdonin, të tilla si lagështia e përhapur në qeliza, ventilimi minimal, drita e papërshtatshme natyrore, qeli që kishin xhamat e dritareve të thyera. Shqetësuese ishte gjithashtu që shumë të burgosur mbaheshin në kushte të ngushta ku rreth njëmbëdhjetë qeli ofronin më pak se 3 m2 për person. [Marrw nga: Raport për Qeverinë Shqiptare mbi vizitën në Shqipëri të kryer nga Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit Çnjerëzor ose Degradues ose Ndëshkimit (CPT) nga 20 deri më 30 nëntor 2018, fq. 6 e 32. Link për raportin e plotë:

    168097986b (coe.int)].

    [XXIX] Bëhet fjalë për Rekomandimin Rec (2006) 2 të Këshillit të Ministrave për Vendet Anëtare mbi Rregullat Evropiane të Burgjeve. Në gjuhën shqipe mund ta gjeni në linkun vijues: https://Search.Coe.Int/Cm/Pages/Result_Details.Aspx?Objectid=09000016805d8d25.

    [XL] Për më tepër shih: Rregullat Evropiane të Burgjeve, pikat 20.1 deri 21.

    https://www.echr.coe.int/Documents/Guide_Prisoners_rights_ENG.pdf.

     

    [XLI] Po aty.

    https://www.echr.coe.int/Documents/Guide_Prisoners_rights_ENG.pdf.

    Kjo platformë është përgaditur nga Qendra ALTRI në kuadër të projektit “Nxitja e standarteve Europiane në mbrojtjen e të drejtave të njeriut për komunitet të qëndrueshme” i cili financohet nga Bashkimi Europian (BE) dhe zbatohet nga Shërbimi Ligjor Falas Tiranë (TLAS) në partneritet me Fondacionin Qendra Evropiane në Shqipëri.

    Scroll Up