Trajtimi Specifik i të Miturve të Paraburgosur dhe Dënuar
Trajtimi Specifik i të Miturve të Paraburgosur dhe Dënuar
Legjislacioni ynë dhe ai evropian i parashikon të miturit e paraburgosur ose të dënuar si një nga grupet me nevoja të veçanta për të cilat parashikohen kushte specifike trajtimi dhe u jepet vëmendje e veçantë në përputhje me nevojat e tyre të zhvillimit individual, psikologjik ose nevoja të tjera të posaçme.
Në vijim paraqiten standartet tona dhe evropiane për trajtimin specifik të të miturve të paraburgosur apo të dënuar lidhur me:
- të drejtat dhe garancitë procedurale të garantuara në mënyrë të veçantë për të miturit në konflikt me ligjin,
- kushtet e burgimit,
- kujdesin shëndetësor,
- kontaktin me botën e jashtme,
- edukimin, trajnimin dhe punësimin e tyre.
Të drejtat dhe garancitë procedurale të garantuara në mënyrë të veçantë për të miturit në konflikt me ligjin
Konventa mbi të Drejtat e Fëmijës nuk përcakton shprehimisht moshën minimale për përgjegjësinë penale të të miturve, por përcaktimin e saj e lë në diskrecion të shteteve të cilat duhet ta parashikojnë në ligjet e tyre.[i] Në Shqipëri, mosha minimale për përgjegjësi penale është 14 vjeç në rastin e kryerjes së një krimi dhe 16 vjeç për kundravajtje penale.[ii]
Neni 40(2) i Konventës mbi të drejtat e fëmijës përmban një listë të drejtash dhe garancish që duhet ti sigurohen çdo të mituri të dyshuar apo akuzuar për shkelje të ligjit penal por këto vendosin vetëm standartet minimale, ndërkohë që shtetet palë mund të vendosin standarte më të larta në legjislacionin kombëtar. Në kuadër të legjislacionit tonë, kemi parashikimet vijuese:
- Kodi i Procedurës Penale në nenin 35 parashikon garanci për personat e mitur që lidhen veçanërisht me:
- ndihmën juridike dhe psikologjike gjatë gjithë procesit penal dhe
- praninë e prindit/kujdestarit ligjor ose personave të tjerë të.
- Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur në nenin 19 përmban rregullime të posaçme lidhur me:
- përgjegjësinë penale të të miturve,
- rregulla procedurale lidhur me hetimin, ndjekjen penale, procesin gjyqësor,
- ekzekutimin e vendimit të dënimit penal, rehabilitimin ose të çdo mase tjetër që përfshin një të mitur në konflikt me ligjin, si dhe një të mitur viktimë dhe/ose dëshmitar të veprës penale.
Në vijim po paraqesim të përmbledhura disa nga të drejtat dhe garancitë ligjore të parashikuara në mënyrë specifike për të miturit e paraburgosur ose të dënuar:
- I mituri duhet të informohet menjëherë dhe personalisht në formën që i përgjigjet zhvillimit të tij:
- çdo i mitur duhet të ketë të drejtë të informohet menjëherë dhe personalisht mbi akuzën kundër tij dhe në një mënyrë që ai e kupton[i]:
- informacioni të miturit duhet t’i jepet në mënyrën që ai e kupton;
- shpjegimi personalisht të miturit është i nevojshëm, pasi nuk është e mjaftueshme që atij thjesht t’i dërgohet një dokument zyrtar.
- zyrtarët e zbatimit të ligjit kanë detyrimin zyrtar të sigurohen për njoftimin e një të afërmi apo të rrituri tjetër të cilit i mituri i beson për faktit se i mituri është ndaluar (pavarësisht nëse i mituri e kërkon këtë):[ii]
- të gjithë të miturve të arrestuar iu duhet dhënë një fletë konkrete informacioni që parashtron garancitë e procedurale, menjëherë pas mbërritjes në institucionin e zbatimit të ligjit:
- fleta informative duhet të jetë miqësore për fëmijët, e shkruar me një gjuhë të thjeshtë e të qartë dhe duhet të jetë e vlefshme në disa gjuhë;
- duhet pasur kujdes i veçantë për t’u siguruar që të miturit ta kuptojnë informacionin plotësisht.
- Të miturve duhet t’u garantohet asistenca ligjore ose çdo asistencë tjetër e përshtatshme në përgatitjen dhe realizimin e mbrojtjes së tyre.
- të gjithë të miturve të arrestuar iu duhet dhënë një fletë konkrete informacioni që parashtron garancitë e procedurale, menjëherë pas mbërritjes në institucionin e zbatimit të ligjit:
- çdo i mitur duhet të ketë të drejtë të informohet menjëherë dhe personalisht mbi akuzën kundër tij dhe në një mënyrë që ai e kupton[i]:
Lidhur me këtë në legjislacionin tonë gjejmë parashikime në disa ligje:
- Kodi i Procedurës Penale e parashikon ndihmën juridike për personat e mitur si një ndër rastet e mbrojtjes së detyrueshme.[iii]
- Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur e parashikon: [iv]
- i mituri ka të drejtë për ndihmë ligjorë në çdo fazë të drejtësisë penale për të mitur;
- thëniet e të miturit të dyshuar, të bëra jo në prani të mbrojtësit, nuk mund të përdoren si prove;
- përfaqësuesi ligjor i të miturit ka të drejtë të zgjedhë dhe të caktojë, në mënyrë të pavarur, një mbrojtës, duke marrë parasysh interesin më të lartë të të miturit, por në rastet kur i mituri nuk ka mbrojtës organi kompetent që kryen veprimin përkatës procedural, cakton menjëherë mbrojtësin.
- Ligji për ndihmën juridike të garantua nga shteti përcakton të miturit viktimë dhe të miturit në konflikt me ligjin si një ndër kategoritë që përfitojnë ndihmë ligjore falas në çdo fazë të procedimit.[v]
- Ndihma psikologjike sigurohet gjithashtu nga Kodi i Procedures Penale dhe Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur, ku dhe sanksionohet se:
- prania e psikologut në çdo fazë të procedimit është e detyrueshme dhe çdo akt dhe provë që merret në shkelje të këtij parashikimi të pavlefshme ose të papërdorshme;
- mundësisht organet e procedimit duhet t’i sigurojnë subjektit të mitur të njëjtin psikolog gjatë gjithë fazave të procesit penal nëse kjo është në interesin më të lartë të tij. Një parashikim i tillë lidhet me faktin se kërkohet që ndihma psikologjike të jetë sa më efektive për të miturin.[vi]
Në kuadër të legjislacionit evropian në këtë fushë, përmendim Direktivën 2013/48/BE, nga parashikimet e të cilës veçojmë:
- Fëmijët që janë të dyshuar ose persona të akuzuar në procedurat penale kanë të drejtën e qasjes tek një avokat. Shtetet Anëtare sigurojnë që fëmijët të ndihmohen nga një avokat pa vonesa të panevojshme pasi të bëhen të ditur se janë persona të dyshuar ose të akuzuar, në mënyrë që t’i lejojë ata të ushtrojnë të drejtat e mbrojtjes në mënyrë efektive. Në çdo rast, fëmijët do të ndihmohen nga një avokat:[i]
- para se të merren në pyetje nga policia ose nga një autoritet tjetër i zbatimit të ligjit ose gjyqësor;
- gjatë kryerjes nga një hetim ose autoritete të tjera kompetente të një akti hetimor ose të mbledhjes së provave;
- pa vonesa të panevojshme pas heqjes së lirisë;
- kur ata janë thirrur të paraqiten para një gjykate që ka juridiksion në çështjet penale, në kohën e duhur para se të paraqiten para asaj gjykate.
Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit Çnjerëzor ose Degradues ose Ndëshkimit (KPT) i krijuar në kuadër të Konventës Evropiane për Parandalimin e Torturës dhe Dënimeve ose Trajtimeve Çnjerëzore ose Poshtëruese[i], në një raport të vitit 2015, thekson se:[ii]
- i mituri i ndaluar nuk duhet t’i nënshtrohet kurrë marrjes në pyetje nga policia ose t’i kërkohet të japë një deklaratë a të nënshkruajë një dokument që ka të bëje me veprën(at) që ai/ajo dyshohet se ka kryer, pa praninë e një avokati dhe, në parim, të një personi të rritur të besuar;
- alternativa “nuk dëshiron të marrë avokat” nuk duhet të zbatohet për të miturit.
Kushtet e Burgimit
[Për informacion mbi parashikimet në tërësi në lidhje me kushtet e burgimit mund të konsultoni materialin “Kushtet e Burgimit të të Paraburgosureve dhe të Dënuarve”, link:
- https://tedrejtatetedenuarve.al/kushtet-e-burgimit-te-paraburgosure-dhe-te-burgosurve/?et_fb=1&PageSpeed=off
- https://tedrejtatetedenuarve.al/b/?et_fb=1&PageSpeed=off ]
Ligji “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”[i] parashikon standartet vijuese:[ii]
- I pandehuri i mitur, ndaj të cilit caktohet masa e sigurimit “arrest me burg”, vendoset vetëm në seksionin për të mitur në mjediset e paraburgimit, ndërsa i mituri i dënuar me burgim vendoset në institucionin për ekzekutimin e vendimeve penale për të miturit.
- I burgosuri i mitur vendoset veçmas nga i burgosuri i rritur. Ndalohet vendosja, mbajtja ose lëvizja e të miturit jashtë institucionit së bashku me një të burgosur të rritur.
- Përjashtimisht nga ky rregull, gjatë kryerjes së veprimtarive rehabilituese, arsimore, kulturore, sportive dhe veprimtarive të tjera me natyrë kulturore dhe edukative të miturit mund të qëndrojnë bashkërisht, pavarësisht përkatësisë gjinore, ose bashkërisht me të rritur, por në çdo rast në prani të personelit të institucionit ku i mituri qëndron.
- Shërbimet në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale ku vendosen të miturit duhet të jenë në përputhje me kërkesat e respektimit të shëndetit dhe dinjitetit të të miturit dhe në funksion të rishoqërizimit, riintegrimit, rehabilitimit dhe parandalimit të rikryerjes së veprës penale ose të kryerjes së një vepre tjetër penale, duke i ofruar të miturit kujdes, asistencë dhe mbikëqyrje.
- Për garantimin e interesit më të lartë të të miturit, institucioni përkatës duhet të ketë personel të mjaftueshëm, të specializuar dhe të trajnuar në vazhdimësi.
Gjithashtu, Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve[i] parashikon:
- akses të menjëhershëm në tualete dhe dushe, që janë të pastra dhe që respektojnë privatësinë;
- dush individual, nëse është e mundur, çdo ditë, në një temperaturë që është e përshtatshme me kushtet atmosferike;
- koha e ajrimit për të miturit mund të reduktohet, por jo më pak se 2 orë në ditë.
Në nivelin e standarteve europiane parashikohet se fëmijët nën moshën 18 vjeç nuk duhet të mbahen në burg për të rritur, por në një institucion të projektuar posaçërisht për këtë qëllim.[ii] Kur fëmijët mbahen në burg, ata do të mbahen në një pjesë të burgut që është e veçantë nga ajo e përdorur nga të rriturit, përveç nëse konsiderohet se kjo është në kundërshtim me interesat më të mira të fëmijës.
Gjithashtu, Rregullat Evropiane të Burgjeve[iii] parashikojnë se:[iv]
- kur përjashtimisht, fëmijët nën moshën 18 vjeç janë të burgosur në një burg për të rriturit, autoritetet duhet të sigurojnë që, përveç shërbimeve në dispozicion të të gjithë të burgosurve, të burgosurit që janë fëmijë të kenë akses në shërbimet sociale, psikologjike dhe arsimore, kujdesin fetar dhe programe rekreative ose ekuivalente me to që janë në dispozicion të fëmijëve në komunitet.[v]
KPT në monitorimin e kushteve të para/burgimit të të miturve konstaton se: [i]
- Në disa vende, të miturit vazhdojnë të mbahen në komisariate policie për periudha deri në dhjetë ditë ose më shumë ndërkohë që sipas saj këto praktika janë të papranueshme. KPT vlerëson se, si rregull, të miturit nuk duhen mbajtur në institucionet e zbatimit të ligjit për më shumë se 24 orë.
- Një qendër e mirëmenduar për të miturit duhet të ofrojë kushte pozitive dhe të personalizuara dënimi për të rinjtë, duke respektuar dinjitetin dhe hapësirën e tyre private. Të gjitha dhomat duhet të jenë të mobiluara në mënyrën e duhur e të kenë dritë natyrale dhe ajrim të mjaftueshëm. Normalisht, të miturit duhen vendosur në dhoma gjumi individuale.
- Ndër të tjera, të miturit duhet të kenë mundësi të menjëhershme përdorimi të mjediseve sanitare higjienike dhe që respektojnë hapësirën private. Veçanërisht, iu duhet kushtuar vëmendje femrave të mitura, për t’iu dhënë mundësi të përdorin mjedise sanitare dhe larjeje, si dhe objekte higjiene, si pecetat higjienike.
- Shkelësit e mitur duhet, gjithashtu, të lejohen të mbajnë veshjet e tyre, nëse janë të përshtatshme. Për ata që nuk kanë veshmbathje të përshtatshme, institucioni duhet t’iu ofrojë veshje që nuk janë uniformë.
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, në çështjen Güveç kundër Turqisë [ii] lidhur me ndalimin e fëmijëve, Gjykata gjeti për herë të parë që burgimi i një të mituri në një burg për të rritur shkonte në trajtim çnjerëzor dhe degradues në kundërshtim me nenin 3[iii] të Konventës Europian e për të Drejtat e Njeriut.[iv]
Kujdesi Shëndetësor
Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve[i] parashikon rregulla të posaçme të ofrimit dhe sigurimit të kujdesit shëndetësor për të miturit e dënuar apo të paraburgosur:[ii]
- Kujdesi shëndetësor ndaj të miturve të privuar nga liria sigurohet sipas standardeve mjekësore që zbatohen ndaj të miturve në komunitet.
- Të miturve u garantohet kujdes shëndetësor i përshtatshëm, parandalues dhe kurues, ku përfshihen shërbimi stomatologjik, oftalmologjik dhe i shëndetit mendor, produkte farmaceutike dhe dieta të veçanta sipas vlerësimit të mjekut dhe edukim shëndetësor.
- Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve u kushton vëmendje të veçantë nevojave të:
- të miturve më të vegjël;
- vajzave shtatzëna dhe nënave me fëmijë bebe;
- të miturve që janë të varur nga lëndët narkotike apo alkoolike;
- personave me HIV/AIDS;
- të miturve me aftësi të kufizuar fizike dhe mendore;
- të miturve të cilët janë të privuar nga liria për periudha të gjata kohore;
- të miturve të cilët kanë provuar abuzim fizik, mendor apo seksual;
- të miturve që i përkasin komunitetit LGBT;
- grupeve të tjera veçanërisht vulnerabël.
Përsa i përket standarteve evropiane, përmendim në mënyrë specifike Direktivën 2016/800/BE “Mbi masat mbrojtëse procedurale për fëmijët që janë të dyshuar ose persona të akuzuar në procedurat penale”, e cila parashikon se:[i]
- Shtetet anëtare duhet të sigurojnë që fëmijët e privuar nga liria kanë të drejtën e një kontrolli mjekësor pa vonesa të panevojshme, me qëllim që, në veçanti, të vlerësojnë gjendjen e tyre të përgjithshme mendore dhe fizike.
- Kontrolli mjekësor duhet të jetë sa më pak invaziv që të jetë e mundur dhe do të kryhet nga një mjek ose një profesionist tjetër i kualifikuar. Rezultatet e ekzaminimit mjekësor do të merren parasysh kur përcaktohet aftësia e fëmijës për t’u nënshtruar në pyetje, veprime të tjera hetimore ose mbledhëse të provave ose ndonjë masë e marrë ose e parashikuar ndaj fëmijës. Kontrolli mjekësor do të kryhet ose me iniciativë të autoriteteve kompetente, veçanërisht kur indikacione të veçanta shëndetësore kërkojnë një ekzaminim të tillë, ose me kërkesë të të miturit, prindit/kujdestarit ligjor ose avokatit.
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, në vendimet e saj shprehet se në çdo rast, shëndeti i të miturve të privuar nga liria do të mbrohet në përputhje me standardet e njohura mjekësore të zbatueshme për të miturit në komunitetin e gjerë. Autoritetet duhet të drejtohen gjithmonë nga interesat më të mira të fëmijës dhe fëmijës duhet t’i garantohet kujdesi dhe mbrojtja e duhur. Për më tepër, nëse autoritetet po konsiderojnë privimin e fëmijës nga liria, duhet të bëhet një vlerësim mjekësor i gjendjes shëndetësore të fëmijës për të përcaktuar nëse ai ose ajo mund të vendoset në një qendër paraburgimi për të mitur.[i]
Gjatë shqyrtimit të çështjeve që lidhen me shërbimet e kujdesit shëndetësor në burgje, KPT është udhëhequr në punën e saj nga një numër kriteresh të përgjithshme:[ii]
- konsultimi me një mjek;
- ekuivalenca e kujdesit;
- miratimi i pacientit dhe fshehtësia;
- kujdesi shëndetësor parandalues;
- pavarësia profesionale dhe kompetenca profesionale.
KPT-ja iu kushton gjithnjë vëmendje të posaçme nevojave specifike mjekësore të të miturve që iu është hequr liria. Është veçanërisht me rëndësi që shërbimi i kujdesit shëndetësor që iu është ofruar të miturve të jetë pjesë përbërëse e programit shumëdisiplinor (mjeko-psikosocial). Sipas Komitetit, të gjithë të miturit duhen intervistuar në mënyrën e duhur dhe ekzaminuar nga një mjek apo infermier i kualifikuar që i raporton mjekut, sa më shpejt, pas pranimit të tyre në qendrën e dënimit.[iii]
Kontakti me botën e jashtme
[Për informacion mbi parashikimet në tërësi në lidhje me kontaktet me botën e jashtme të të para/burgosurve mund të konsultoni materialin “Kontakti me botën e jashtme i të Paraburgosureve dhe të Dënuarve”, link: https://tedrejtatetedenuarve.al/kontakti-me-boten-e-jashme-te-paraburgosur-dhe-personave-te-denuar-me-heqje-lirie/]
Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur parashikon të drejtat dhe standartet vijuese të lidhura me kontaktin me botën e jashtme për të paraburgosurit apo të dënuarit e mitur:[i]
- Mjediset, në të cilat realizohet kufizimi i lirisë, kanë shpërndarje gjeografike në të gjithë territorin e vendit, me qëllim që të miturve t’u garantohet kontakti me familjarët e tyre.
- Me qëllim riintegrimin në shoqëri dhe zvogëlimin e pasojave negative sociale të kufizimit të lirisë, i mituri i dënuar me burgim dhe i mituri i paraburgosur, gëzon të njëjtat të drejta lidhur me garantimin e kontakteve me familjen dhe rrethin shoqëror.
- Të miturit të dënuar me burgim dhe të paraburgosur i garantohet në mënyrë efektive e drejta për marrëdhënie të rregullta e të shpeshta me familjen e tij, me personin, sipas zgjedhjes së tij dhe rrethin shoqëror, si dhe e drejta për të marrë korrespondencë, me përjashtim të rasteve kur kjo nuk është në interesin më të lartë të të miturit.
- I mituri ka të drejtë:
- të ketë 8 vizita nga familjarë/rrethi shoqëror në muaj dhe si motivim nxitës 2 vizita shtesë në muaj. Në rast pamundësie të familjarëve dhe rrethit shoqëror për të kryer vizitat në orën e parashikuar, organi kompetent bën të mundur garantimin e së drejtës për takim në një kohë të përshtatshme për ta dhe të miturin;
- të ketë 4 vizita në vit pranë familjes dhe si motivim vizita shtesë;
- të ketë të paktën 1 vizitë në rastet e problemeve shëndetësore ose emocionale;
- të kryejë jo më pak se 4 thirrje telefonike në javë, pa shpërblim, ku secila prej tyre nuk i kalon 15 minuta, dhe të ketë si motivim nxitës biseda telefonike pa limit me shpenzimet e veta. Në rast të mungesës së të ardhurave, të miturit i sigurohet kjo e drejtë falas nga organi kompetent, pranë të cilit i mituri ndodhet;
- të kryejë 4 videokonferenca në muaj dhe si motivim nxitës 2 videokonferenca shtesë në muaj;
- të marrë letra dhe pako në numër të pa kufizuar;
- të përdorë televizion dhe radio personale;
- të shpenzojë të holla nga llogaria e tij çdo muaj për të blerë ushqime, pajisje për përdorim personal dhe mallra të tjera, në një dyqan në territorin e mjedisit të rehabilitimit.
- Të miturit të paraburgosur apo të dënuar i garantohet e drejta për të marrë leje të shkurtër nga vendi i vuajtjes së dënimit tre herë në vit.
- Kohëzgjatja e kësaj lejeje nuk i kalon 15 ditë. Në këtë kohë përfshihet edhe koha e nevojshme për udhëtim në familjen e tij ose në destinacion.
- I mituri i dënuar me burgim ka të drejtë të marrë një leje të shkurtër nga vendi i vuajtjes së dënimit në rast se: a) ka kryer jo më pak se një të tretën e dënimit, nëse është dënuar me burgim deri në 3 vjet; b) ka kryer jo më pak se gjysmën e dënimit, nëse është dënuar me burgim deri në 8 vjet; c) ka kryer jo më pak se dy të tretat e dënimit, nëse është dënuar me burgim mbi 8 vjet.
Në Rregullat Evropiane të Burgjeve[i] për shkelësit e mitur parashikohet se institucionet e të miturve duhet të vendosen në vende që janë të lehta për t’u arritur dhe lehtësojnë kontaktet midis të miturve dhe familjeve të tyre.
KPT[ii] në raportin e tij të vitit 2015 për të miturit të cilëve u është hequr liria sipas legjislacionit penal, thekson standartet vijuese të prezantuara në formën e gjetjeve dhe rekomandimeve:[iii]
- Nxitja aktive e kontakteve të mira me botën e jashtme mund të jetë posaçërisht në interes të të miturve që iu është hequr liria, shumica e të cilëve mund të kenë probleme sjelljeje që lidhen me privimet emocionale apo me mungesën e aftësive sociale. Duhen bërë të gjitha përpjekjet për t’u siguruar që të miturve të dënuar t’iu jepet mundësia të kontaktojnë me familjet e tyre dhe persona të tjerë, nga momenti që hyjnë në qendrën e dënimit.
- Koncepti i familjes duhet interpretuar në mënyrë liberale, me qëllim që të përfshijë kontakte me personat me të cilët të miturit kanë një marrëdhënie të krahasueshme me atë të një anëtari të familjes, edhe nëse marrëdhënia nuk është e zyrtarizuar. Në funksion të integrimit të tyre social, të miturit duhen lejuar sa më shumë të jetë e mundur të marrin periudha sistematike leje (qoftë të shoqëruar, ose vetëm).
- Marrëveshjet për vizitat duhet të jenë të tilla që të lejojnë të miturit të mbajnë dhe zhvillojnë marrëdhëniet familjare në një mënyrë sa më normale dhe të kenë mundësi për riintegrim shoqëror. Autoritetet institucionale do të ndihmojnë të miturit në mbajtjen e kontakteve adekuate me botën e jashtme dhe t’u sigurojnë atyre mjetet e duhura për ta bërë këtë.
- Të miturit duhet të përfitojnë nga e drejta për vizita më shumë sesa një orë në javë, duhet të kenë mundësinë për të pritur vizita edhe në fundjavë, duhet të kenë mundësi për telefonata të shpeshta dhe mundësinë e ushtrimit të së drejtës së korrespondencës gjatë gjithë kohës.
- Prindërit dhe përfaqësuesit ligjorë të të miturve duhet të informohen pa asnjë vonesë lidhur me transferimet, lirimin, sanksionet disiplinore dhe masat mbrojtëse e të sigurisë që kanë të bëjnë me të miturin, si dhe për sëmundjet, dëmtimin apo vdekjen e tyre.
Edukimi, Trajnimi dhe Punësimi i të miturve
Të miturve të privuar nga liria u garantohen veprimtari dhe programe, sipas planit individual, që nxisin zhvillimin e tyre fizik dhe mendor, vetë respektin, ndjenjën e përgjegjësisë dhe zhvillojnë tek ata sjellje dhe aftësi për parandalimin dhe kryerjen sërish të krimeve.
Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur parashikon që:[i]
- Të pandehurve/të dënuarve të mitur/të rinj u sigurohet arsimi bazë i detyrueshëm dhe, sipas rastit, edhe arsimi i mesëm ose i lartë. Procesi arsimor në mjediset e paraburgimit dhe burgimit për të mitur duhet të jetë në përputhje me standardet e arsimit në Republikën e Shqipërisë.
- Gjatë paraburgimit dhe burgimit organizohet procesi mësimor dhe i rehabilitimit, me qëllim që të pandehurve/të dënuarve të mitur t’u sigurohet arsim i përgjithshëm dhe/ose arsimi profesional mundësisht jashtë mjediseve të paraburgimit dhe burgimit.
- Vetëm në raste të veçanta, procesi mësimor duhet të sigurohet që i mituri të ndjekë arsimin profesional/trajnimin në mjediset e paraburgimit dhe burgimit.
- Të burgosurve të mitur/të rinj u krijohen mundësi për trajnim profesional, sipas interesave dhe prirjeve të tyre dhe që do të ndihmojë në punësimin e tyre pas largimit nga institucioni.
- Dokumentet që vërtetojnë shkollimin e realizuar nga të pandehurit/të dënuarit e mitur/të rinj në periudhën kur ata kanë qenë të pandehur ose kur vuanin dënimin nuk duhet të përmbajnë informacion që bën të mundur identifikimin e të miturit si një ish i dënuar ose identifikimin e një dënimi të mëparshëm.
- Për të dënuarit e mitur që kanë vështirësi të të mësuarit ose të nxënit që lidhen me aftësinë e kufizuar, si dhe për të miturit që nuk kanë ndjekur shkollën organizohen programe të veçanta dhe individuale të arsimit.
- I dënuari i mitur ka të drejtë të kryejë një punë që shpërblehet. Kur është e mundur, i pandehuri/i dënuari i mitur mund të punojë edhe jashtë institucionit. I mituri punon jashtë kohës së studimit. I pandehuri/i dënuari i mitur mund të punojë vetëm nëse një gjë e tillë lehtëson edukimin profesional, punësimin e tij pas lirimit dhe në qoftë se nuk pengohet arsimimi i tij. Kohëzgjatja e punës dhe e edukimit të të miturit nuk duhet të kalojë 8 orë në ditë.
- Gjithashtu, të miturit në konflikt me ligjin i krijohet mundësia për ecje, aktivitete sportive dhe ripërtëritëse të përditshme, me anë të përdorimit të pajisjeve të duhura sportive në një hapësirë të përshtatshme. Ndërkohë që të miturve, përfshirë dhe të miturit me aftësi të kufizuara, u sigurohen programe trajnuese fizike dhe ripërtëritëse.
Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve[i] parashikon se është i domosdoshëm hartimi i një plan individual rehabilitimi dhe ri-integrimi për të miturin, duke marrë në konsideratë vlerësimin psikologjik, situatën emocionale, nivelin arsimor, dëshirat dhe mundësitë e tij për të ndjekur kurse profesionale ose për të përparuar në arsimim, plan i cili realizohet bashke me te miturin.[ii] Plani i trajtimit përfshin, ndër të tjera: a) arsimin; b) kurse profesionale; c) terapi në punë; ç) edukim qytetar; d) trajnim për aftësim social; dh) meanaxhim të agresionit apo zemërimit; e) terapi kundër varësisë nga drogat; ë) terapi individuale apo në grup; f) edukim fizik dhe sporte; g) programe të drejtësisë restorative dhe reparacioneve për veprën penale të kryer; gj) aktivitetet krijuese të kohës së lirë; h) veprimtari jashtë institucionit në komunitet, dhënia e lejeve ditore apo formave të tjera të lejeve, i) përgatitja për lirim dhe ri-integrim.
Rregullat Evropiane të Burgjeve[iii] për shkelësit e mitur parashikojnë të drejtën e të miturit për të pasur akses në të gjitha llojet e arsimit, udhëzimit profesional dhe aftësimit, në të njëjtat kushte si për të gjithë fëmijët e tjerë. Gjithashtu, të miturit kanë të drejtë për t’u përgatitur për qytetari aktive dhe të përgjegjshme përmes lojës, sportit, aktivitetit kulturor, arsimit joformal dhe rritjes së përgjegjësive. Kushtet që lejojnë vazhdimësinë e marrëdhënies arsimore dhe të duhur emocionale midis stafit dhe fëmijëve, veçanërisht përmes qëndrueshmërisë së stafit (prania e vazhdueshme, shmangia e transferimeve të stafit) janë të preferueshme.[iv]
Rekomandimi i Komitetit të Ministrave REC(2003)20[v] për vendet anëtare në lidhje me mënyrat e reja të trajtimit të delikuencës së të miturve dhe rolin e drejtësisë për të mitur, vendos standartet vijuese në formën e rekomandimeve:
- përgatitja për lirimin e të miturve të privuar nga liria duhet të fillojë në ditën e parë të dënimit të tyre. Një vlerësim i plotë i nevojave dhe vlerësimit të rrezikut duhet të jetë hapi i parë drejt një plani ri-integrimi i cili përgatit plotësisht shkelësit e ligjit për lirimin duke adresuar, në një mënyrë të koordinuar, nevojat e tyre në lidhje me arsimin, punësimin, të ardhurat, shëndetin, strehimin, mbikëqyrjen, familjen dhe shoqërinë;
- duhet të miratohet një qasje në faza për riintegrimin, duke përdorur periudhat e pushimit, institucionet e hapura, lirimin e hershëm të licencës dhe njësitë e zhvendosjes.
- Burimet duhet të investohen në masa rehabilitimi pas lirimit dhe kjo duhet, në të gjitha rastet, të planifikohet dhe të kryhet me bashkëpunimin e ngushtë të agjencive të jashtme.
KPT[vi] në raportin e tij të vitit 2015 për të miturit të cilëve u është hequr liria sipas legjislacionit penal, thekson standartet vijuese të prezantuara në formën e gjetjeve dhe rekomandimeve:[vii]
- Të dënuarve të mitur iu duhet ofruar, gjatë ditës, një program i plotë arsimor, sportiv, formimi profesional, argëtimi dhe veprimtari të tjera të vlefshme jashtë qelisë.
- Pas hyrjes, duhet hartuar një plan i individualizuar për çdo të mitur, duke përcaktuar konkretisht objektivat, kuadrin kohor dhe mjetet përmes të cilave duhen arritur objektivat, me qëllim që koha që i mituri përkatës kalon në qendrën e dënimit të përdoret sa më mirë, për të zhvilluar aftësitë dhe kompetencat që e ndihmojnë atë të ri-integrohet në shoqëri.
- Arsimi dhe formimi profesional që iu ofrohet të miturve gjatë dënimit duhet të jetë i ngjashëm me atë në komunitet, ofruar nga mësues/trajnues profesionistë dhe të miturit e dënuar duhet të marrin të njëjtat lloje diplomash ose certifikatash (pasi kanë përfunduar me sukses arsimimin), si ato të tët miturve që frekuentojnë institucionet arsimore në komunitet.
- Duhen marrë masa për të shmangur që diploma e përfundimit të studimeve të përmbajë ndonjë element që tregon lidhjen e të miturit me institucionin.
Referenca
[1] Koventa mbi të Drejtat e Fëmijës, neni 40/5/a. Gjithashtu, rekomandimi CM/Rec(2008)11 i Komitetit të Ministrave për vendet anëtare “mbi Rregullat Evropiane për shkelësit e mitur subjekt i sanksioneve ose masave” [link: https://search.coe.int/cm/Pages/result_details.aspx?ObjectID=09000016805d2716 ] rekomandon që mosha minimale për vendosjen e sanksioneve ose masave si rezultat i kryerjes së një vepre penale nuk duhet të jetë shumë e ulët dhe duhet të përcaktohet me ligj. Komiteti për të Drejtat e Fëmijëve në raportin e tij të vitit 2019 rekomandon që shtetet të përcaktojnë me ligj moshën për përgjegjësi penale në bazë të kushteve sociale dhe kulturore dhe rekomandojnë që mosha të mos jetë më e vogël se 14 vjeç. Gjithashtu, Komiteti përgëzon Shtetet Palë që kanë një moshë minimale më të lartë, për shembull 15 ose 16 vjeç, dhe nxit Shtetet Palë të mos ulin moshën minimale të përgjegjësisë penale në asnjë rrethanë, në përputhje me nenin 41 të Konventës.
[1] Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur, neni 3.
[1] Komiteti i të drejtave të fëmijëve, Koment i përgjithshëm, No. 24(2019) Mbi të drejtat e fëmijëve në systemin e drejtësisë për të mitur [on children’s rights in the child justice system].
[1] Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit Çnjerëzor ose Degradues ose Ndëshkimit (CPT), Të Miturve që iu është hequr liria sipas legjislacionit penal, Pjesë nga raporti i 24-të i Përgjithshëm, publikuar në vitin 2015, faqe 2; link: https://rm.coe.int/16807824b0, aksesuar me 12.04.2021.
[1] Kodi i Procedurës Penale, neni 49.
[1] Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur, nenet 20 dhe 48.
[1] Ligji 111/2017 “Për ndihmën juridike të garantua nga shteti”, neni 11(c).
[1] Sipas raportit të Komitetit për të Drejtat e Fëmijeve [Komiteti i të drejtave të fëmiëve, Koment i përgjithshëm, No. 24 (2019) on children’s rights in the child justice system, link: http://docstore.ohchr.org/SelfServices/FilesHandler.ashx?enc=6QkG1d%2FPPRiCAqhKb7yhsqIkirKQZLK2M58RF%2F5F0vEnG3QGKUxFivhToQfjGxYjV05tUAIgpOwHQJsFPdJXCiixFSrDRwow8HeKLLh8cgOw1SN6vJ%2Bf0RPR9UMtGkA4] të miturve duhet tu garantohet asistenca ligjore ose çdo asistencë tjetër e përshtatshme në përgatitjen dhe realizimin e mbrojtjes së tyre. Sipas raportit kërkohet që të miturit t’i sigurohet asistencë e cila jo domosdoshmërisht duhet të jetë ligjore por e rëndësishme është të jetë e përshtatshme në rastet konkrete. Lihet në dorën e shteteve se si kjo asistencë do të sigurohet por e rëndësishme është të jetë pa pagesë. Komiteti u rekomandon shteteve palë që të afrojnë ndihmën ligjore nga individë të trajnuar siç janë ekspertët ligjorë ose profesionistët e ligjit. Gjithashtu, edhe format e tjera të asistencës janë të mundur,a siç mund të jetë rasti i asistencës që afrohet nga punonjësit sociale, por këta persona duhet të kenë njohuri të mjaftueshme mbi aspektet ligjore të procesit penal dhe drejtësisë penale për të mitur dhe duhet të jenë trajnuar të punojnë me të mitur në konflikt me ligjin. Madje që në fillim të këtij raporti theksohet se kushti kryesor dhe më i rëndësisëm për zbatimin efektive të të drejtave dhe garacive gjatë procesit për të miturit është kualifikimi i personave të përfsirë në sistemin e drejtësisë.
[1] Neni 6 i Direktiva (Eu) 2016/800 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit e 11 Maj 2016 mbi masat mbrojtëse procedurale për fëmijët që janë të dyshuar ose persona të akuzuar në procedurat penale, link: EUR-Lex – 32016L0800 – EN – EUR-Lex (europa.eu).
[1] RSH ka aderuar në vitin 1996 në këtë Konventë me ligjin nr. 8135, datë 31.7.1996, përmbajtjen e të cilit mund ta gjeni në linkun vijues: https://rm.coe.int/16806dbac6.
[1] Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit Çnjerëzor ose Degradues ose Ndëshkimit, Të Miturve që iu është hequr liria sipas legjislacionit penal, Pjesë nga Raporti i 24-t i Përgjithshëm, publikuar në vitin 2015, faqe 2; link:
https://rm.coe.int/16807824b0, aksesuar me 12.04.2021.
[1] Bëhet fjalë për Ligjin Nr. 81/2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”. Tekstin e plotë mund ta gjeni në linkun vijues:
https://www.parlament.al/Files/ProjektLigje/20200702104324ligj%20nr.%2081,%20dt%2025.6.2020.pdf.
[1] Ligji Nr. 81/2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”, neni 23.
[1] Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve mund të aksesohet në faqen e internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në linkun vijues:
http://www.dpbsh.gov.al/newweb/?fq=brenda&m=shfaqart&gj=gj1&aid=516.
[1] Këtu përmendim: Pika 11.1 i Rregullave Evropiane të Burgjeve; neni 12 i i Direktivës (Eu) 2016/800 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit e 11 Maj 2016 “Mbi masat mbrojtëse procedurale për fëmijët që janë të dyshuar ose persona të akuzuar në procedurat penale” si dhe parashikimet e Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit Çnjerëzor ose Degradues ose Ndëshkimit (CPT), Të Miturve që iu është hequr liria sipas legjislacionit penal, Pjesë nga raporti i 24-të i Përgjithshëm, publikuar në vitin 2015, paragrafi 102.
[1] Bëhet fjalë për Rekomandimin Rec (2006) 2 të Këshillit të Ministrave për Vendet Anëtare mbi Rregullat Evropiane të Burgjeve. Në gjuhën shqipe mund ta gjeni në linkun vijues: https://Search.Coe.Int/Cm/Pages/Result_Details.Aspx?Objectid=09000016805d8d25.
[1] Rregullat Evropiane të Burgjeve [Rekomandimi Rec (2006) 2 i Këshillit të Ministrave të KiE], pika 35.
[1] Sipas Rregullave Europiane për shkelësit e mitur, të miturit e privuar nga liria dërgohen në institucione me nivelin më të ulët të sigurisë për t’i mbajtur ata në mënyrë të sigurt. Institucionet ose sektorët e institucioneve duhet të sigurojnë një sërë lehtësish për të përmbushur nevojat individuale të të miturve të mbajtur atje dhe qëllimin specifik të kryerjes së tyre. Numri i të miturve në një institucion duhet të jetë aq i vogël sa të mundësojë kujdes individual. Institucionet do të organizohen në njësi të vogla jetese [marrë nga: Rekomandimi CM / Rec (2008) 11 i Komitetit të Ministrave për vendet anëtare mbi Rregullat Evropiane për shkelësit e mitur subjekt i sanksioneve ose masave: https://search.coe.int/cm/Pages/result_details.aspx?ObjectID=09000016805d2716, aksesuar me date 24.04.2021].
[1] Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit Çnjerëzor ose Degradues ose Ndëshkimit (CPT), Të Miturve që iu është hequr liria sipas legjislacionit penal, Pjesë nga raporti i 24-të i Përgjithshëm, publikuar në vitin 2015, faqe 4; link: https://rm.coe.int/16807824b0 , aksesuar me 12.04.2021.
[1] Güveç k. Turqisë, 20 Janar 2009; link: https://hudoc.echr.coe.int/eng#{“itemid”:[“001-90700”]}, aksesuar më datë 13.04.2021.
[1] Neni 3 i KEDNJ: “Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës ose dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose degraduese”.
https://www.echr.coe.int/Documents/Guide_Prisoners_rights_ENG.pdf.].
[1] Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve mund të aksesohet në faqen e internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në linkun vijues:
http://www.dpbsh.gov.al/newweb/?fq=brenda&m=shfaqart&gj=gj1&aid=516.
[1] Për më tepër informacion shih: Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve, neni 83.
[1] Neni 8 i Direktivës 2016/800/BE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit e 11 Maj 2016 mbi masat mbrojtëse procedurale për fëmijët që janë të dyshuar ose persona të akuzuar në procedurat penale, link: https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/?uri=CELEX%3A32016L0800 aksesuar më 12.04.2021.
https://www.echr.coe.int/Documents/Guide_Prisoners_rights_ENG.pdf.
[1] Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit Çnjerëzor ose Degradues ose Ndëshkimit (CPT), Të Miturve që iu është hequr liria sipas legjislacionit penal, Pjesë nga raporti i 24-të i Përgjithshëm, publikuar në vitin 2015, paragrafi 113; link: https://rm.coe.int/16807824b0 , aksesuar me 12.04.2021.
[1] Po aty.
[1] Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur, nenet 98, 120-121.
[1] Bëhet fjalë për Rekomandimin Rec (2006) 2 të Këshillit të Ministrave për Vendet Anëtare mbi Rregullat Evropiane të Burgjeve. Në gjuhën shqipe mund ta gjeni në linkun vijues: https://Search.Coe.Int/Cm/Pages/Result_Details.Aspx?Objectid=09000016805d8d25.
[1] Bëhet fjalë për Komitetin Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit Çnjerëzor ose Degradues.
[1] Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit Çnjerëzor ose Degradues ose Ndëshkimit, Të Miturve që iu është hequr liria sipas legjislacionit penal, Pjesë nga Raporti i 24-t i Përgjithshëm, publikuar në vitin 2015, fq. 5-7; link:
https://rm.coe.int/16807824b0, aksesuar me 12.04.2021.
[1] Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur, nenet 117-118.
[1] Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve mund të aksesohet në faqen e internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në linkun vijues:
http://www.dpbsh.gov.al/newweb/?fq=brenda&m=shfaqart&gj=gj1&aid=516.
[1] Për më tepër informacion shih: Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve, neni 86.
[1] Bëhet fjalë për Rekomandimin Rec (2006) 2 të Këshillit të Ministrave për Vendet Anëtare mbi Rregullat Evropiane të Burgjeve. Në gjuhën shqipe mund ta gjeni në linkun vijues: https://Search.Coe.Int/Cm/Pages/Result_Details.Aspx?Objectid=09000016805d8d25.
[1] Rekomandimi CM/Rec (2008)11 i Komitetit të Ministrave për vendet anëtare mbi Rregullat Evropiane për shkelësit e mitur subjekt i sanksioneve ose masave: https://search.coe.int/cm/Pages/result_details.aspx?ObjectID=09000016805d2716 , aksesuar me date 24.04.2021.
[1] Bëhet fjalë për: Rekomandimi Rec (2003) 20 i Komitetit të Ministrave për vendet anëtare në lidhje me mënyrat e reja të trajtimit të delikuencës së të miturve dhe rolin e drejtësisë për të mitur: https://search.coe.int/cm/Pages/result_details.aspx?ObjectID=09000016805df0b3 , aksesuar me 27.04.20211.
[1] Bëhet fjalë për Komitetin Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit Çnjerëzor ose Degradues.
[1] Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit Çnjerëzor ose Degradues ose Ndëshkimit, Të Miturve që iu është hequr liria sipas legjislacionit penal, Pjesë nga Raporti i 24-t i Përgjithshëm, publikuar në vitin 2015, fq. 5-7; link:
https://rm.coe.int/16807824b0, aksesuar me 12.04.2021.
Kjo platformë është përgaditur nga Qendra ALTRI në kuadër të projektit “Nxitja e standarteve Europiane në mbrojtjen e të drejtave të njeriut për komunitet të qëndrueshme” i cili financohet nga Bashkimi Europian (BE) dhe zbatohet nga Shërbimi Ligjor Falas Tiranë (TLAS) në partneritet me Fondacionin Qendra Evropiane në Shqipëri.